Berisha garon i vetëm, por del i dyti

1 Maj 2026, 20:39 / POLITIKË NGA ARDI STEFA
Berisha garon i vetëm, por del i dyti

Nga Ardi Stefa

Në një garë ku ka vetëm një kandidat, të dalësh i dyti është një arritje që kërkon talent të rrallë. 

Sali Berisha duket se e zotëron këtë talent më mirë se kushdo tjetër. Në “zgjedhjet” e 23 majit për kreun e PD nuk po garon më kundër një kundërshtari brenda forcës së vetë politike dhe po humbet. Berisha po garon me mungesën e kundërshtarëve. 

Dhe, pavarësisht se Berisha do të fitojë në 23 maj ajo është një fitore që nuk bind askënd: as ata që e shpallin, as atë që fiton.

Sepse edhe ata që duhej ta sfidonin i ka eleminuar dhe anatemuar duke i shpallur armiq, ndërkohë demokratët, pavarësisht numrit të votave në kutitë e votimit atë ditë, kanë zgjedhur një mënyrë më të dhimbshme për ta rrëzuar: po e lënë vetëm.

Berisha do të dalë i pari në kuti. Por jashtë kutisë është i dyti. Sepse i pari është braktisja. I pari është refuzimi. I pari është heshtja. I pari janë demokratët që nuk vijnë më, që nuk besojnë më, që nuk kanë më as nerva të zemërohen. Sepse zemërimi kërkon shpresë. Ndërkohë Berisha është një lider që fiton çdo garë në PD dhe humbet çdo betejë me kundërshtarin. Dhe PD e Berishës ka kohë që nuk prodhon më as shpresë, as alternativë; vetëm humbje me Ramën dhe fitore me “armiqtë e brendshëm”. 

Kjo është tragjikomedia e një partie që dikur mobilizonte mijëra njerëz, ndërsa sot mezi gjen justifikime. Një partie që dikur mbante peshën e pluralizmit dhe sot mezi mban peshën e vetes. Por kjo gjendje e PD është, në fakt, tragjedia e Shqipërisë, që pavarësisht sa artikulohet në media është pa opozitë. Berisha gjithnjë e më tepër i ngjan atij aktorit që ka mbetur i vetëm në skenë, por vazhdon të recitojë sikur salla është plot. Dhe sa më shumë e përsërit rolin, aq më shumë zbulohet vetmia dhe mungesa e njerëzve, mungesa e entuziazmit, mungesa e besimit.

Demokratët dhe opozitarët nuk po e mundin Berishën më me votë. U pa në zgjedhjet e 2025-ës sa shumë e braktisën. Ndërsa sot po e mundin dhe po e zhvlerësojnë me indiferencë. Me refuzim, që është forma më e pastër e votës kundër. Dhe kjo është humbja më e rëndë që mund të pësojë një lider politik: njerëzit që nuk ndihen më as të zemëruar, as të zhgënjyer, por të lodhur dhe të neveritur. 

Demokratët po e mundin gjithnjë e më shumë duke artikuluar me zë të lartë atë që dikur nuk guxonin. Duke pasur guximin t’i përgjigjen baltës që ai hedh. Duke pasur guximin t’i thonë në sy që i ka gënjyer kaq vite dhe realisht po çimenton pushtetin e Ramës. 

Duhet kuptuar se problemi nuk është fakti që Berisha del i dyti. Problemi është që nuk ka më vend të parë për të.

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 12:30 EDITORIAL

Sali Brava

Nga Bato Kosova

ide