Dosja “Balluku” mbërrin në Bruksel/ Çfarë ndodhi në mbledhjen që alarmoi Edi Ramën

Kaloi fare pa zhurmë fundjavën e kaluar një forum i dialogut me temën “Edhe disa hapa akoma drejt BE” që u zhvillua në Vlorë. Pritej që Edi Rama të bëhej pjesë e aktivitetit ku e prisnin Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder,ambasadorja franceze Catherine Suard, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali etj, por kryeministri e anuloi papritur udhëtimin drejt Vlorës dhe si një figurë që zakonisht dominon panele të kësaj natyre, mungesa e tij la në hije të gjithë aktivitetin.
Anulimi i udhëtimit drejt Vlorës erdhi në minutat e fundit, por një burim tha për Lapsi.al se shkak u bë një shqetësim i fortë lidhur me zhvillime në Bruksel rreth hetimeve të SPAK për Belinda Ballukun dhe tensioneve institucionale që ai ka prodhuar.
Këto zhvillime kishin të bënin me një mbledhje të premten e datës 30 Janar në ndërtesën Justus Lipsius në Bruksel për një takim të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, një forum teknik i Këshillit të BE ku përfaqësuesit e shteteve anëtare diskutojnë në mënyrë të mbyllur çështjet e zgjerimit.

Por Lapsi.al mësoi se pasi ka dëgjuar qëndrimet e prera të diplomatëve dhe të ekspertëve për situatën në Shqipëri, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka kontaktuar e shqetësuar kryeministrin Edi Rama për ta vënë në dijeni për klimën e diskutimeve.
Kos i ka përcjellë Ramës qëndrimet aspak të qeta nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda kryesisht për çështjen e SPAK ndaj zv.kryeministres së pandehur Belinda Balluku e cila megjithëse përballet nga akuza dhe është kapur në përgjime kompromentuese vazhdon të mbahet në detyre.
Duhet thënë se Franca dhe Holanda janë dy vende që përmenden shpesh në këtë kontekst, edhe për shkak të interesit të kompanive të tyre në tenderin e portit të ri të Durrësit, një garë që përfundoi me skualifikimin pa një rrugë efektive ankimi të kompanive nga këto vende. Këto janë nga shembuj që ushqejnë bindjen për problemet në klimën e investimeve dhe për funksionimin e rregullave të lojës në sistemin e prokurimeve në vendin tonë.
Pikërisht pas kësaj bisede me Marta Kos, mësohet se Rama është alarmuar dhe ka anuluar udhëtimin në Vlorë për të bërë një seri telefonatash në kancelaritë europiane me qëllim zbutjen e toneve dhe për të shmangur një përshkallëzim diplomatik.
I kapur në një situatë emergjente, kryeministri ka shpërfillur totalisht marrëdhënien e konfidencialitetit mes diplomatëve në Bruksel, duke vënë në pozitë të vështirë edhe komisioneren për zgjerimin Marta Kos.
Nuk dihet nëse Rama ka arritur të riparojë diçka në marrëdhënien me kancelaritë e vendeve të Bashkimit Europian, por e sigurtë është që me telefonatat e tij ka nxjerrë bllof komisioneren Marta Kos, e cila ka thyer kodin e etikës duke i përcjellë Ramës fije për pe atë që ishte diskutuar për SPAK, Ballukun dhe qeverinë shqiptare
Prej mesit të muajit dhjetor, mazhoranca po zvarrit votimin në kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut, me shpresën se do të arrijë t’i djegë afatet e parashikuara në rregulloren e kuvendit. Aty parashikohet se nëse kërkesa për autorizimin e arrestimit nuk votohet brenda tre muajsh, atëherë SPAK nuk mund ta arrestojë deputetin apo ministrin përkatës.
Votimin në kuvend, Rama e kushtëzon me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që mori në shqyrtim pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre. Vetëm se çështja në Gjykatën Kushtetuese është thjesht një pretekst, pasi ndarja e pushteteve nuk ka asnjë lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste për dosjen e aferave të korrupsionit të Belinda Ballukut.
Ajo ç’ka mbetet është që çështja Balluku tashmë i ka kaluar përmasat e një zhvillimi të brendshëm politik dhe se ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë e kanë çuar çështjen drejt kancelarive perëndimore.
Në këtë kuptim, çështja e imunitetit të Belinda Ballukut është shndërruar në një provë e kredibilitetit të Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian, që nëse dështon do të ketë pasoja.
Në Tiranë, buzëqeshjet diplomatike dhe deklaratat e balancuara vijojnë. Por sipas burimeve që informuan Lapsi.al, mesazhet në mbledhjen që i prishën fundjavën Edi Ramës kanë qenë të qarta: nëse SPAK pengohet në një çështje simbol për luftën kundër korrupsionit, atëherë edhe rruga e integrimit mund të bëhet më e gjatë dhe në vend të disa hapave, mund të kërkojë disa kilometra akoma drejt BE./Lapsi.al
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128