Muaji i shenjtë i Ramazanit, Basha uron besimtarët: Zoti të na falë dhuratën e shpresës e të na udhëheq drejt rrugës së drejtë

28 Shkurt 2025, 10:27 / POLITIKË ALFA PRESS

Muaji i shenjtë i Ramazanit, Basha uron besimtarët: Zoti të na

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në një postim në facebook, Basha shprehu urimet e tij për një agjërim plot paqe, urtësi dhe begati, duke theksuar rëndësinë e durimit, forcës dhe shpresës në këtë periudhë të shenjtë.

Ai uron që ky muaj të shërbejë si një mundësi reflektimi për vlerat më të larta njerëzore, si mirësia, dhembshuria dhe dashuria vëllazërore.

Postimi i plotë i Bashës:

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Me nisjen e këtij muaji të shenjtë, uroj nga zemra çdo besimtar mysliman, kudo që ndodhet, për një agjërim plot paqe, urtësi dhe begati!

Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, lutemi për durim dhe forcë. Kur sprovat na sfidojnë, lutemi që Zoti të na falë dhuratën e shpresës e të na udhëheqë drejt rrugës së drejtë, ku të shohim dritën hyjnore edhe në ditët më të vështira e në sfidat më të mëdha.

Le të na shërbejë ky muaj si reflektim për vlerat më të larta njerëzore: mirësinë, dhembshurinë dhe dashurinë vëllazërore për njëri-tjetrin.

Agjërim të pranuar!
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju! ????