Platforma e Alibeajt/ Boçi: Bashkimi s'mund të bëhet me platforma individuale pa vendimarrje

15 Prill 2022, 16:39 / POLITIKË ALFA PRESS

Platforma e Alibeajt/ Boçi: Bashkimi s'mund të bëhet me

Ndasitë në Partinë Demokratike kanë vijuar edhe në tentativat e bashkimit përmes platformave të prezantuara nga kampet brenda së të njëjtit lloj. Sipas deputetit Luçian Boçi platformat individuale nuk miratohen nga kryesia e Grupit Parlamentar sado të mirëhartuara që mund të jenë ato. Boçi thekson se bashkimi mundësohet vetëm nga vota e lirë si bazë e një procesi politik që ka nisur dhe do të jetë gjithëpërfshirës.

“Platformat individuale që nuk kanë miratimin e Kryesisë së Grupit Parlamentar e të vetë Grupit Parlamentar edhe sikur të pikuara nga qielli të jenë, sjellin vetëm dasi e përçarje.

Integriteti i Grupit Parlamentar, i dëshmuar në mbledhjen e tij, nuk mund të shpërdorohet e të keqpërdoret duke hedhur si konsum mediatik e publik, në formën e konspekteve, ato mendime të shkëputura që i shkojnë për shtat vetëm hartuesve të platformës.

Bashkimi është një proces politik nëpërmjet votës së lirë që ka nisur e po vazhdon e do të jetë gjithëpërfshirës.

Respektimi i tij është akt bashkimi.

Bashkimi nuk mund të bëhet as me platforma individuale e as me konspekte e nënvizime fjalësh pa kontekst, të shitura si kolegjiale, pa kaluar në asnjë vendimmarrje”, shkruan ai.

Nga ana tjetër Enkelejd Alibeaj ka propozuar një platformë me 6 pika, por ka hasur në kundërshtimin e Berishës, i cili u shpreh se ai nuk ka kompetencat e duhura për të bërë këtë propozim.

1.Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.

2.Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.

3.Anullohet çdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.

4.Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.

5.Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, percaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi  parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara.

6. Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

 

 

Po ndodh...