Presor Mondi habitet me ata që festojnë pa lejen e Doktorit

29 Dhjetor 2023, 09:10 / POLITIKË NGA ALFAPRESS.AL

Presor Mondi habitet me ata që festojnë pa lejen e Doktorit
Presor Mondi, që tërë jetën e tij politike kishte gëzuar dhe festuar, mërzitur dhe irrituar, vetëm me lejen e Doktorit, u pataks kur hapi facebook-un dhe pa grupin e PD-së zyrtare që festonte pa lejen e Doktorit.

Aq më shumë që festonin në këto ditë që Doktori ishte në një përballje epike si familje me sistemin e drejtësisë.

Duke qenë se nuk ishte hera e parë që ai kodosh Rama i punonte nga këto rrengat në facebook, herë duke i ulur numrin e like-ve, herë duke mos lejuar postimet e presor Mondit të dalin te të tjerët, mendimi i parë i erdhi ndër mend ishte se mo ishte nga ato pelivanllëqet e kohëve të fundit të Edi Ramës.

Por jo! Pasi u sigurua mirë, pasi u bind se ata pengjet e Lul Bravës po festonin pa lejen e Doktorit, madje po ia bënin për karshillëk atij që po festonin festat e fundvitit pikërisht në ditët e zeza të Rithemelimit dhe Doktorit, presor Mondi mori të shkruajë: “Hani, hani...harboni... eshte sezon festash... nesër Babloku do ju çoje tek lodrat... qe te hani dhe harboni dhe me shume.”

Presor Mondi habitet me ata që festojnë pa lejen e Doktorit
Pasi i shkroi këto rreshta, u ndje më i lehtësuar, iu duk vetja një Ali Asllan i vërtetë dhe me gishtin e madh, shtypi butonin ‘post’ të celularit.

Pastaj, presor Mondi mendoi të ulej edhe në një postim më poshtë, se mos Edi Rama, nëpërmjet atyre hakerrave të Rilindjes, ia kishte fshirë atë ultimatumin ku presori i famshëm i Rithemelimit të Doktorit urdhëronte të mos gëzonte askush këto ditë: “Mos u gëzoni. Nuk ka arrest shtëpie që e ndalon. E drejta gjithmonë triumfon! Ai do i vere përposhtë të gjithë ata që po përpiqen ta rrëzojnë për arse politike, pa fakte dhe prova.”

Presor Mondi habitet me ata që festojnë pa lejen e Doktorit
Ja, pra, kështuja kjo punë, mendoi me vete presor Mondi, dhe sërish u fut në të thella se si ata besëprerët e Lulit kishin festuar pa lejen e Doktorit dhe pa lexuar urdhrin e presor Mondit për të mos gëzuar askush në këto ditë festash, sepse “...Ai do i vërë përposhtë të gjithë ata që përpiqen ta rrëzojnë për arsye politike...”

Po ndodh...