Rama u kujtua pas 12 vitesh për shkatërrimin e Bujqësisë, ekspertët: Është shumë vonë!

6 Korrik 2025, 22:11 / POLITIKË ALFA PRESS
Rama u kujtua pas 12 vitesh për shkatërrimin e Bujqësisë,

Gjatë kësaj jave qeveria nisi një tur takimesh me fermerët për të dëgjuar ankesat dhe sugjerimet e tyre për sektorin, i cili nuk po kalon ditët e tij më të mira.

Të dhënat flasin se performanca e këtij sektori është afër zeros madje dhe me minus.

Kreu i qeverisë kritikoi kryebashkiakët që sipas tij nuk e kanë në vëmendje jetën e fshatit. Por eksperti i çështjeve vendore, Agron Haxhimali, e konsideron këtë kritikë si një reflektim të vonuar.

“Fshati është e dukshme që nuk ka qenë në objektivin as të pushtetit lokal, por dhe të atij qendror. Shifrat e tregojnë këtë fakt. Ndaj thirrja e kryeministrit më duket si një reflektim i vonuar ndaj një sektori jetik, që dikur ka udhëhequr rritjen ekonomike me një kontribut 20% në prodhimin e brendshëm bruto, por tani ka rënë në 16%”,  tha Haxhimali gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE”

Sipas Haxhimalit ajo çfarë mund të bëjnë më shumë bashkitë është orientimi i investimeve në disa segmente kyç për jetën në fshat.

“Të dhënat flasin se gati 50% e tokave që prodhojnë në vend nuk kanë sistem vaditës. Pra nuk ka ujë për vaditje. Fermeri detyrohet të krijojë vet një sistem, duke investuar me qëllim që të realizojë prodhimin. Por ky investim ka kosto, e cila në finale përkthehet në një çmim edhe më të lartë të produktit final. Njësitë vendore mund të kanalizojnë një pjesë të fondeve te ky element bazik për bujqësinë”, sqaroi Haxhimali.

Haxhimali vijon më tej kur thotë se investimet në zonat rurale duhet të kenë procedura sa më të thjeshta, ndryshe nga ato urbane.

Sipas tij individët që jetojnë në fshat, nuk gëzojnë të gjithë informacionin e nevojshëm, ndaj dhe shpesh herë ka një dekurajim të iniciativës për investim.

Po ndodh...

ide