Skandali i Ballukut/ Media amerikane ‘Breitbart’: Zyrtarët e SHBA, të shqetësuar nga mbrojtja e Ramës
Deputetë të opozitës nga Partia Demokratike (PD) e Shqipërisë shkaktuan kaos në parlament të enjten, duke ndezur flakadanë, duke hedhur shishe uji drejt kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi ndërsa ai përpiqej të rivendoste rendin, si dhe duke u përplasur me policinë.
Skena e dhunshme ishte kulmi i një beteje disamujore mbi akuzat për korrupsion.
Endrit Shabani është një ish-profesor i ri i së drejtës, i cili, të paktën në letër, do të dukej një zgjedhje solide për postin më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ai hyri në garën gjashtëanëtarëshe për të pasuar Avokaten e Popullit në largim, Erinda Ballanca, me miratimin e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe me mbështetje të fortë ndërpartiake.
Parlamenti u mblodh të enjten në Tiranë për të betuar avokatin e ri të popullit, Endrit Shabanin.
Fatkeqësisht, Shabani u gjend në mes të një përplasjeje të gjatë politike mes PD-së dhe Partisë Socialiste në pushtet, si dhe partneres së saj në koalicion, Partisë Socialdemokrate. Problemi ishte se Shabani kishte kandiduar për parlament në vitin 2025 si përfaqësues i një partie të vogël, dhe ishte përfshirë në një debat të ashpër politik mbi atë se kush do ta mbante një mandat parlamentar të kontestuar. Ai ishte kryetar i partisë Nisma Thurje deri në momentin që dha dorëheqjen për të kandiduar për postin e avokatit të popullit.
Zyra e Avokatit të Popullit zakonisht mbahet nga një figurë që shihet si jashtë politikës partiake, ndaj pati pakënaqësi për faktin se posti po plotësohej nga një politikan profesionist. Megjithatë, Shabani arriti të siguronte mbështetje nga përfaqësues të shumë partive.
Kur erdhi momenti i votimit për avokatin e popullit të enjten e kaluar, të gjithë deputetët e PD-së u tërhoqën papritur nga mbështetja për Shabanin. Mazhoranca socialiste vendosi njëanshmërisht të vazhdonte me votimin dhe Shabani u zgjodh vetëm me votat e socialistëve dhe socialdemokratëve – një situatë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
“Jam ende i habitur nga deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me vullnet të mirë, më dhanë firmat e tyre sipas kërkesës ligjore dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisin kandidaturën time sikur të mos kishte qenë kurrë e tyrja,” shkroi Shabani në një postim në rrjetet sociale të premten e kaluar.
Avokati i ri i Popullit vazhdoi duke përgëzuar Partinë Socialiste për “pjekuri politike” në zgjidhjen e “ngërçit” të krijuar nga PD-ja, të cilën e quajti të paarsyeshme – gjë që e zemëroi edhe më shumë opozitën.
Në sfond të dramës së Avokatit të Popullit qëndronte beteja politike për zv/kryeministren Belinda Balluku, e përfshirë në një skandal lidhur me kontrata infrastrukture të dhëna në mënyrë të parregullt.
Balluku, aleate e ngushtë e kryeministrit Edi Rama, u shkarkua nga detyra më 21 nëntor me urdhër të një “gjykate speciale” të krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. SPAK e kishte akuzuar për korrupsion dhe i kishte kërkuar parlamentit t’i hiqte imunitetin për ta arrestuar.
Kryeministri Rama e ankimoi vendimin e gjykatës speciale në Gjykatën Kushtetuese, e cila e riktheu Ballukun në detyrë të premten e kaluar. Rama argumentoi se pezullimi i saj ishte “absurd si koncept” dhe krijonte një “precedent unik dhe të rrezikshëm”.
Këto dy polemika politike u përplasën drejtpërdrejt në përleshjen parlamentare të së enjtes, kur deputetët e PD-së ndërhynë dhunshëm gjatë ceremonisë së betimit të Shabanit. Garda ndërhyri dhe u përplas me deputetët e zemëruar, teksa ata vërsuleshin drejt foltores së kryetarit Peleshi.
Peleshi u bëri thirrje deputetëve të “respektojnë institucionin e parlamentit” dhe thirri: “Nuk mund ta shkatërrojmë shtetin kështu!” Përgjigjja ishte hedhja e shisheve të ujit drejt tij.
Disa deputetë të PD-së zunë vendet e rezervuara për anëtarët e kabinetit të Ramës dhe ngritën pankarta që e cilësonin kryeministrin si “Noriega i Europës”, një referencë ndaj diktatorit panamez Manuel Noriega. Pankarta të tjera kërkonin dorëheqjen e Ballukut dhe përballjen e saj me drejtësinë.
Opozita zgjodhi, në dukje çuditshëm, figurën e Noriegës – i rrëzuar në vitin 1989 dhe i vdekur në 2017 – sepse sheh paralele mes tij dhe Ramës si liderë autoritarë të korruptuar, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për arsye gjeopolitike.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë i kujdesshëm të mos përfshihet publikisht në krizën politike që po zien në Shqipëri – një aleat kyç rajonal, anëtar i NATO-s dhe vend aspirant për BE – por sipas burimeve, në prapaskenë zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar me mënyrën se si Rama ka menaxhuar skandalin e korrupsionit, veçanërisht me përdorimin e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer Ballukun në detyrë dhe për ta mbrojtur nga ndjekja penale./BREITBART
Po ndodh...
Rasti Balluku: Kur Rama zgjedh korrupsionin përpara Europës!
ide
SHBA dhe Trump, firmosin ndëshkimin për Ramën dhe Berishën
"Dënim paraprak për Belinda Ballukun", përgjigje për Baton Haxhiun
Teatri që fsheh prapaskenën
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
