Sundimi i ligjit/ Shqipëria e 87-ta në botë, e fundit në rajon dhe më keq se 7 vite më parë!

Sundimi i ligjit është përkeqësuar këtë vit në Shqipëri, sipas të dhënave më të fundit të edicionit të “Indeksit të Sundimit të Ligjit” për vitin 2022, i publikuar nga Projekti Botëror i Drejtësisë (The World Justice Project).
Sipas shifrave ky përkeqësim ka ndodhur vetëm në renditje si pasojë e përmirësimeve të shteteve të tjera pasi në pikëzim Shqipëria nuk ka ndryshuar, krahasuar me edicionin e vitit të kaluar. Indeksi tregon se Shqipëria ka rënë me katër pozicione nga viti i kaluar, duke u renditur kështu në vend të 87-të nga 140 vende në total dhe duke grumbulluar 0.49 pikë nga 1.00 në total.
Nëse do të ndalemi në vlerësimin e Shqipërisë ndër vite shohim se që nga viti 2015-të dhe deri në vitin 2022, vendi ynë ka pësuar një përkeqësim në pikëzim nga 0.52 pikë në 2015-ën në 0.49 gjatë këtij edicioni. Nëse pikët do t`i krahasonim me një vit më parë, pra vitin 2021, të dhënat tregojnë se Shqipëria ka mbetur në `vend numëro` duke mos bërë hapa para, por as hapa pas, raporton Scan.
Ky indeks ka për qëllim matjen e sundimit të ligjit bazuar në përvojat dhe perceptimet e publikut. Indeksi bazohet në disa shtylla kryesore që janë: kufizimet mbi kompetencat qeveritare, mungesa e korrupsionit, qeverisja e hapur, të drejtat themelore, rendi dhe siguria, zbatimi rregullator, drejtësia civile dhe drejtësia penale.
Renditjen më negative Shqipëria e mban sa i përket zbatimit të rregulloreve, i cili ndalet në masën e zbatimit të rregulloreve në mënyrë të drejtë dhe efektive. Për këtë tregues renditemi në vend të 112-të nga 140 vende në total. Një pozicionim jo shumë pozitiv Shqipëria mban gjithashtu për korrupsionin duke u renditur në vend të 107-të, duke rënë me dy pozicione. Për qeverisjen e hapur renditemi në vend të 84-tët. Pozicionimin më të mirë e kemi sa i përket të drejtave themelore, ku renditemi në vend të 63-të dhe gjithashtu për rendin dhe sigurinë ku renditemi në vend të 50-të.
Nga ana tjetër, jemi në vend të 105-të për kufizimet mbi kompetencat qeveritare. Për të drejtësinë civile dhe penale, renditmi në vend 98 dhe 81 respektivisht duke u përkeqësuar në renditje krahasuar me vitin 2021.
Po të bëjmë krahasimin me vendet e rajonit, të dhënat e Indeksit tregojnë se vendi ynë renditet pas tyre. Me renditje më pozitive paraqitet Kosova, e cila gjendet e pozicionuar në vend të 57-të duke u përmirësuar edhe në pikëzim. Pas Kosovës gjejmë të pozicionuar Maqedoninë e Veriut në vend të 63-të, ndjekur nga Bosnje Hercegovina në vend të 70-të. E parafundit në rajon në këtë indeks qëndron Serbia në vend të 93-të. Vendi i parë ku mbizotëron sundimi i ligjit në botë është Danimarka, e ndjekur në vend të dytë nga Norvegjia dhe Finlanda në vend të tretë, ashtu si në edicionin e vitit të kaluar.



Po ndodh...
Sulmet ndaj Dumanit dhe heshtja e Berishës për Ilir Shtufin
ide
Aleanca e Vulave dhe Kullave, përballë Republikës së Re
Fillimi i fundit të pushtetit në Shqipëri...
Koherenca qesharake e opozitës!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128