Braho: Vetingu nuk është imunitet, gjyqtarët dhe prokurorët mbeten nën vëzhgimin e SPAK

17 Qershor 2026, 15:01 / POLITIKË ALFA PRESS
Braho: Vetingu nuk është imunitet, gjyqtarët dhe prokurorët

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, deklaroi se procesi i vetingut nuk mund të konsiderohet si një garanci apo “imunitet” për gjyqtarët dhe prokurorët në të ardhmen, duke theksuar se çdo veprim i mundshëm korruptiv do të mbetet objekt i hetimeve penale.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar, Braho u shpreh se konfirmimi në detyrë i magjistratëve lidhet vetëm me një periudhë të kaluar dhe nuk i përjashton ata nga përgjegjësia ligjore për veprimet e ardhshme.

“Konfirmimi në detyrë i prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë procesit të rivlerësimit i përket një periudhe të kaluar. Ky konfirmim nuk mund të shërbejë si ‘imunitet’ edhe për të ardhmen. Procesi i rivlerësimit ka përfunduar, por standardet e vendosura për kontrollin e pasurisë, të figurës dhe anës profesionale do të vazhdojnë të jenë të zbatueshme”, tha Braho.

Ai nënvizoi se besimi i publikut te sistemi i drejtësisë nuk është i përhershëm, por duhet të fitohet dhe të ruhet përmes profesionalizmit, pavarësisë dhe respektimit të ligjit në çdo vendimmarrje.

Sipas kreut të SPAK, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprime korruptive që mund të kryejë pas përfundimit të vetingut.

“Çdo veprim i mundshëm korruptiv i prokurorëve dhe gjyqtarëve është dhe do të mbetet në vëmendjen e SPAK-ut, sa herë që rrethanat do të justifikojnë ushtrimin e ndjekjes penale”, theksoi ai.

Braho shtoi se integriteti i sistemit të drejtësisë nuk mbrohet vetëm me standarde deklarative, por përmes hetimeve profesionale dhe përgjegjësisë së barabartë përpara ligjit.

Kreu i SPAK vlerësoi se Reforma në Drejtësi krijoi institucione të reja me përgjegjësi të mëdha, ndërsa theksoi se sfida tashmë mbetet ushtrimi i këtyre përgjegjësive me integritet, seriozitet dhe respekt të plotë ndaj Kushtetutës dhe ligjit.

Po ndodh...

ide