Zbardhen detaje nga mbledhja 30 minutëshe e Kryesisë së PS-së! Rama kërkon nisjen e takimeve në terren dhe zgjedhjet brenda partisë

3 Mars 2026, 10:41 / POLITIKË ALFA PRESS

Zbardhen detaje nga mbledhja 30 minutëshe e Kryesisë së

Nën drejtimin e kryeministrit dhe kreut të PS, Kryesia e kësaj force politike zhvilloi një mbledhje që zgjati vetëm 30 minuta, ku fokusi kryesor ishte organizimi i strukturave të partisë dhe nisja e takimeve në terren.

Gjatë mbledhjes, nuk u vendos një datë për Asamblenë Kombëtare.

Mësohet se kryeministri Rama ka kërkuar daljen në terren dhe takime me elektoratin, ndërsa është diskutuar edhe për zgjedhjet në strukturat e degëve të PS.

Në mbledhje mori pjesë edhe Belinda Balluku, të cilën kryeministri Rama e shkarkoi nga posti.

Kryesia e PS, pas ndryshimeve në qeveri 

Ky takim i socialistëve vjen pak ditë pas mbledhjes së Grupit të PS, ku dhe u kryen ndryshimeve të mëdha në qeveri, si edhe shkarkimi nga detyra e Belinda Ballukut, e cila mbante postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e lënë në duart e SPAK, pasi është vënë zyrtarisht nën akuzë për abuzime me tenderat dhe për të cilën ka kërkuar arrestimin.

Gjatë ditës së djeshme Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti Kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit që u zhvillua në Pallatin e Brigadave, Kryeministri Rama i paraqiti Kreut të Shtetit propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar. Rama e Begaj u takuan për afro 40 minuta në Pallatin e Brigadave, ku kreu i qeverisë i dorëzoi për dekretim shkarkimet dhe emërimet e reja në kabinetin qeveritar.

Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e shkarkimeve dhe emërimeve të reja në kabinetin qeveritar, të cilat më pas kalojnë për votim në Parlament, ku për miratimin e tyre nevojiten 71 vota. Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e rinj betohen tek Presidenti Begaj për të marrë detyrën e re.

Shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj u njoftuan në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me kabinetin qeveritar që u mbajt më 26 shkurt, ku Edi Rama vendosi të zëvendësojë zëvendëskryeministren Belinda Balluku me Albana Koçiun, e cila duhet të lërë Ministrinë e Brendshme që drejton aktualisht.

Vakancën e krijuar nga largimi Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do ta plotësojë Enea Karakaçi, i cili ka mbajtur deri më sot postin e Drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Elisa Spiropali, e cila mbajti detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme, do të zëvendësohet nga diplomati i karrierës, Ferit Hoxha, të cilit më herët i janë besuar detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit në OKB e BE.

Toni Gogu do të udhëheqë një tjetër portofol të rëndësishëm, atë të Ministrisë së Drejtësisë, në vend të Besfort Lamallarit, i cili shkon sërish në dikasterin ku ka shërbyer prej vitesh, por kësaj radhe si drejtues i Ministrisë së Brendshme.

Deputetja e re e qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, do të ulet në karrigen e lënë bosh nga Toni Gogu, duke kryesuar Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin. Sakaq, pjesë e rokadës së ndryshimeve në qeverinë e re është edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili zëvendësohet nga Ermal Nufi, që mban detyrën e zv.Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, ndërsa më herët ka qenë shef kabineti i zv.Kryeministres Balluku.

Po ndodh...

ide