Donaruma i shkel syrin Interit: Kënaqësi të luaj përsëri në “San Siro”

22 Mars 2025, 13:19 / SPORT ALFA PRESS

Donaruma i shkel syrin Interit: Kënaqësi të luaj

Të enjten në mbrëmje nuk ia doli dot që të shmangte humbjen e Italisë, pavarësisht pritjeve të shkëlqyera ndaj Goreckës dhe Kimishit, por Xhanluixhi Donaruma e shijoi rikthimin e tij në Milano. “Stadiumi ‘San Siro’ është unik.

E kam gjithmonë me vete. Të rikthehesha të luaja në këtë qytet është gjithmonë diçka speciale. Këtu e kam zemrën time. Pritja e tifozëve ishte e shkëlqyer dhe këto doja të dëgjoja. Kjo gjë më ka prekur dhe më ka emocionuar shumë”, ka thënë fillimisht Xhixho pas ndeshjes.

Në “San Siro” ka mbrojtur portën e kuqezinjve të Milanit në të shkuarën, ndërsa në të ardhmen mund ta bëjë në portën e zikaltërve të Interit. Një lajm që ka qarkulluar shpesh dhe shumë në kohët e fundit. “Pse ka ende një pjesë stadiumi që më do këtu? (Qesh). Më vjen shumë mirë që Interi interesohet për mua, por këto janë situata që do t’i shohim në të ardhmen. Më mungonin shumë si Italia ashtu edhe ky stadium”, u shpreh ai.

Fjalët e gardianit italian në fakt lënë gjithçka të hapur, edhe pse menaxheri i tij Enzo Raiola i ka mohuar. “Nuk ka pasur kontakte mes nesh dhe zikaltërve apo klubeve të tjera. PSG-ja është duke bërë një hap pas në aspektin financiar, por ne e kemi pranuar politikën e re dhe të menaxhimit të kontratave në këtë mënyrë. Jemi duke punuar për rinovimin e kontratës, por nuk kemi arsye pse të nxitojmë”, ka thënë Raiola.

SHIFRAT – Donaruma është në skadencë me PSG-në në vitin 2026. Skuadra nga Parisi është duke ulur rrogat e lojtarëve. Ish-lojtari i Milanit ka një kontratë me 10 milionë euro. Sigurisht që kjo është një temë që ndoshta e vështirëson kalimin e tij në Milano sepse zikaltrit nuk paguajnë kaq rroga të larta.

Për më tepër, Marota me të tijtë investuan 15 milionë euro te portieri Jozef Martinez, i cili ka bërë ndeshje të mira në periudhën që Zomer u dëmtua. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e Interit do të bëjnë një ofertë në fundin e këtij sezoni apo do të shtrojnë rrugën për një lëvizje me parametra zero në verën e ardhshme. Donaruma do të ndihej si në habitatin e tij në Itali, shumë herë më mirë sesa në Francë.

 

Po ndodh...