Kalulu pranë rikthimit, një përforcim i rëndësishëm për Thiago Motta-n

28 Shkurt 2025, 12:19 / SPORT ALFA PRESS

Kalulu pranë rikthimit, një përforcim i

Juventusi po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Brenda një jave, bardhezinjtë panë si u shuan dy objektiva të rëndësishëm.

Pas eliminimit nga Champions League ndaj PSV-së, bardhezinjtë u përshëndetën gjithashtu me Kupën e Italisë, duke u mundur në çerekfinale në shtëpi nga Empoli pas gjuajtjeve të penalltive.

Skuadra e Thiago Motta-s ka mbetur me vetëm një objektiv: kampionatin.

Duke pasur parasysh ndeshjet e ardhshme vendimtare për mbrojtjen e vendit të katërt në renditje, trajneri bardhezi është pranë rikuperimit të një elementi të rëndësishëm: Pierre Kalulu.

Mbrojtësi francez u dëmtua më 29 janar, gjatë sfidës së Champions League të humbur në Torino kundër Benfica-s.

Ai u detyrua të kërkonte zëvendësimin që në minutën e 16-të, pas një problemi muskulor të pësuar pas një ndërhyrjeje në zonën e rreptësisë.

Juventusi më vonë konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se Kalulu kishte pësuar një dëmtim të shkallës së ulët të tendinës së muskulit semimembranoz në kofshën e djathtë.

Kur do të rikthehet Kalulu?

Fillimisht, u parashikua një ndalesë prej rreth një muaji dhe duket se afati po respektohet.

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, brenda 48 orëve të ardhshme do të vendoset nëse Kalulu do të jetë në stol për ndeshjen e radhës të Serisë A kundër Veronës më 3 mars në Allianz Stadium.

Nëse nuk do të jetë gati, ai pritet të rikthehet më 9 mars në sfidën ndaj Atalantës, që gjithashtu do të luhet në Torino.