Miqësorja Skënderbeu-Tirana kthehet në fushë beteje në Korçë

1 Gusht 2024, 13:17 / SPORT ALFA PRESS

Miqësorja Skënderbeu-Tirana kthehet në fushë beteje në

Në miqësoren e djeshme në Korçë, Skënderbeu-Tirana 2-2, fryma e tensionit në fushë filloi të ndihej që në fundin e pjesës së parë, aty ku Mici dhe Bismark në momente të caktuara shkëmbenin batuta dhe provokime me njëri-tjetrin.

Në pjesën e dytë gjithçka u bë me agresive. Kjo, pasi pjesë e përplasjeve u bë edhe Rabiu, duke shkëmbyer ndërhyrje të ashpra me Micin. Në minutën e 73-të të takimit do të vinte edhe shkëndija që ndezi gjithçka. Një ndërhyrje e ashpër në mesfushë solli konfrontim mes dy futbollistëve në fjalë që vijoi për disa çaste. Aq të forta u bënë ofendimet mes Micit dhe Rabiut, saqë arbitri kryesor u detyrua t’i nxirrte nga fusha me kartonin e kuq. Pas këtij momenti gjithçka u përshkallëzua.

Në kohën kur Rabiu po i drejtohej tunelit për të shkuar te dhomat e zhveshjes një pjesëtar i stafit teknik të Tiranës i afrohet, duke i kërkuar llogari për sjelljen e tij në fushë. Ofendimet arritën përmasa të pallogaritshme, aq sa të dy pankinat u përfshinë në grindjen masive. Debatet dhe konfrontimet gati fizike vazhduan për rreth tri minuta, duke sjellë reagim edhe nga tifozët që ndodheshin në tribunën qendrore, si dhe disa të tjerë që nga tribuna përballë guxuan të zbrisnin edhe në fushë.

Falë ndërhyrjes në kohë të trajnerëve respektivë dhe stafit teknik të Skënderbeut u bë normalizimi i situatës, teksa Gentian Liçi ishte ai që mori me vete Micin për ta qetësuar, në mënyrë që të mos acaronte më shumë situatën. Duke pasur parasysh faktin se Liçi ka qenë zëvendëstrajner te Skënderbeu në kohën kur Mici luante për bardhekuqtë gjithçka gjeti rrugën e duhur të qetësimit të situatës.
Një ngjarje aspak e hijshme kjo për një takim miqësor, që duket se rikthen edhe një herë në kujtesë rivalitetin mes këtyre dy ekipeve jo vetëm mes tifozëve, por tanimë edhe në fushë, duke kujtuar ngjarje aspak të denja për futbollin që kanë ndodhur para shumë vitesh në një finale Kupe të luajtur në Korçë.



Po ndodh...

ide