U shpall kampion sezonin e fundit, Dinamo “peshkon” një sulmues te Deçiçi në Mal të Zi

6 Qershor 2024, 09:17 / SPORT ALFA PRESS

U shpall kampion sezonin e fundit, Dinamo “peshkon” një sulmues

Dinamo po bën një merkato pa ndonjë zhurmë të madhe deri tani. Koha që kanë në dispozicion i bën blutë që të punojnë me kujdes në këtë drejtim. Sulmuesi Mendela dhe mesfushori Dita janë dy afrimet e para të kryeqytetasve, edhe pse i dyti nuk është zyrtarizuar nga klubi.

Harta e merkatos së Dinamos është shtrirë në vend, por edhe jashtë Shqipërisë, ku po shihet çdo lojtar që mund t’i vlejë skuadrës për sezonin e ri. Hipoteza janë disa lojtarë që mund të vijnë nga Italia, por gjithashtu po shihet edhe tregu ballkanas, me Kosovën dhe Malin e Zi në fokus. Pas Ditës, që vlerësohet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën, do të ketë edhe një goditje “big” për mbrojtjen, një tjetër për mesfushën dhe një për sulmin, por për të pësuar emra konkretë është akoma shumë e vështirë.

GJOLAJ – Një emër i fundit që ka qarkulluar si afrim i mundshëm te Dinamos, sipas shtypit sportiv në Mal të Zi, është Mario Gjolaj. Bëhet fjalë për një sulmues krahu që është shpallur kampion sezonin e fundit me Deçiçin e Tuzit. Gjolaj është 22 vjeç dhe luan si sulmues i krahut të majtë. Për momentin mund të konsiderohet një opsion për blutë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vazhdim. Sipas shtypit malazez, ka pasur kontakte mes palëve, por bisedimet janë në fazën fillestare. Duke parë pozicionin e Gjolajt, mund të jetë një alternativë e mirë për kryeqytetasit, pasi në atë rol luan vetëm Lorenco Vila. Denison dhe Tusha janë larguar nga Dinamo dhe për sezonin e ardhshëm duhej dhe një tjetër lojtar për linjën e majtë të sulmit.

SULMI – Për repartin e avancuar, përveç afrimit të Mandelës dhe ndonjë përforcimi në krah, blutë po kërkojnë edhe një lojtar me kualitet të lartë që të japë më shumë garanci për objektivin e sezonit të ardhshëm. Deri në fund të muajit qershor drejtuesit blu do të kenë nënshkruar me këtë lojtar, ndërsa emri mbetet për t’u zbuluar. Në skuadër janë aktualisht Kaçorri dhe Tahiri nga sezoni i fundit.

 

Po ndodh...

Nga Bato Kosova 16:37 EDITORIAL

Sali Llapa

Nga Bato Kosova