Tetë futbollistë presin debutimin në Botëror, ndeshja me Ekuadorin hap derën për rotacion të madh te Gjermania
Pas dy paraqitjeve në Kupën e Botës, tetë lojtarë të kombëtares gjermane ende po presin ndeshjen e tyre të parë. A do të ndryshoj kjo kundër Ekuadorit? Dhe cilët lojtarë mbetën plotësisht jashtë planeve në turnetë e mëparshëm?
Me vendin e parë në grup tashmë të siguruar, para ndeshjes së fundit të fazës së grupeve kundër Ekuadorit, vëmendja po zhvendoset te pyetje të tjera: A do të jetë këtë herë Deniz Undav në formacionin titullar? A do të shpërblehet Oliver Bauman me minuta loje? Dhe sa rotacion është në të vërtetë i arsyeshëm? Tetë lojtarë në skuadrën gjermane për Kupën e Botës janë të interesuar për faktin se, pas fitoreve ndaj Curaçaos dhe Bregut të Fildishtë, ndeshja e së enjtes (ora 22:00) nuk ka më rëndësi për renditjen në grup. Ata ende presin minutat e para në këtë Botëror.
Meqenëse Manuel Nojer u rikuperua në kohë për ndeshjen hapëse dhe ka qëndruar i shëndetshëm deri tani, kjo situatë prek natyrshëm dy portierët rezervë, numrin 2 Oliver Bauman dhe numrin 3 Aleksander Nubel. Përveç tyre, edhe mbrojtësi Malik Tiau ende nuk ka luajtur. Pas largimit të Niko Shloterbek nga Botërori, ai është ngjitur nga vendi i pestë në të katërtin në hierarkinë e mbrojtësve qendrorë, pas Xhonatan Tah, Antonio Rudiger dhe Valdemar Anton.
Në mesfushë, Paskal Gros, Angelo Stiler dhe Asan Ouedraogo, i cili zëvendësoi Lenart Karl, nuk kanë marrë ende mundësinë për tu treguar. Ndërsa në repartin ofensiv, Maksimilian Bajer dhe Nik Voltemade janë lënë në hije nga Deniz Undav dhe shokët e tij. Edhe ata shpresojnë të paktën të aktivizohen si zëvendësues kundër Ekuadorit. Deri tani, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsman, ka përdorur 18 nga 26 lojtarët e skuadrës së tij, një shifër që përputhet me mesataren e këtij Botërori.
Japonia dhe Meksika kryesojnë renditjen me nga 22 lojtarë të aktivizuar, ndërsa në skajin tjetër ndodhen Portugalia dhe Panamaja me vetëm 15 lojtarë të përdorur deri më tani. Të dyja këto kombëtare kanë ende ndeshjen e tyre të dytë për të zhvilluar. Nuk është e pazakontë që disa lojtarë të kalojnë një turne të tërë në stol. Në Botërorin e vitit 2022, që për Gjermaninë përfundoi që në fazën e grupeve, këtë fat e përjetuan Ter Shtegen, Kevin Trap, Armel Bela Kotçap, Kristian Gynter, Julian Brandt dhe Karim Adejemi.
Po ndodh...
Kasta kundër popullit
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128