Kërkesat e protestës janë jo vetëm të arësyeshme por të domosdoshme

24 June 2026, 17:18 / IDE BLENDI KAJSIU
Kërkesat e protestës janë jo vetëm të arësyeshme

Dy kërkesat kryesore të protestës, ndalimi i projektit të Zvërnecit dhe dorëheqja e kryeministrit Rama, janë cilësuar shpesh si anti-zhvillimore, anti-politike dhe madje anti-demokratike nga establishmenti politik dhe mediatik që mban në këmbë kënetën tonë politike. E megjithatë bëhet fjalë për kërkesa që janë jo vetëm të arësyeshme por të domosdoshme si për ekonominë edhe për demokracinë tonë.

Anullimi i projektit turistik në Zvërnec është vendimi më i arësyeshëm që mund të marrë shteti shqiptar jo vetëm për ngatërresat ligjore dhe kriminale që ekzistojnë mbi pronësinë e truallit ku do bëhet investimi, por edhe sepse mungon si arësyetimi mjedisor edhe ai ekonomik që justifikon fizibilitetin e një investimi të tillë.

Ekspertët mejdisor pothuajse në kor kanë shpjeguar që një mega-rezort turistik elitar do shkatërronte Nartën, një prej perlave natyrore të Shqipërisë dhe Evropës. Pra bashkëjetesa e flamingove dhe miliarderëve që premton Rama është krejt e pamundur.

Në fakt nuk është e nevojëshme të jesh ekspert mjedisor të kuptosh që një rezort i përmasave që propozon kryeministri Rama ka një impakt shkatërrues mbi ekosistemet e brishta të zonave të mbrojtuara siç është Narta. 

Rezortet elitare dhe luksoze nënkuptojnë ndërhyrje të jashtëzakonëshme në terren, sepse miliarderët duan dhoma dhe apartemente të stërmëdha, pishina private, spah, restorante luksoze, dhe porte për parkimin e jahteve. Të gjitha këto nuk mund të bashkëjetojnë me flamenkot apo pelikanët, sikurse premton kryeministri Rama pa asnjë studim apo analizë ekspertësh.

Jo vetëm nuk ekziston asnjë studim ekologjik mbi impaktin e mega rezortit por nuk është bërë publike as ndonjë studim apo analizë ekonomike mbi impaktin e tij në ekonominë e zonës dhe përtej. Në fakt nuk ekziston asnjë strategji zhvillimore që argumenton se prioriteti i ekonomisë shqiptare duhet të jenë rezortet elitare. 

Askush nuk ka shpjeguar bindëshëm mekanizmin ekonomik nëpërmjet të cilit rezortet elitare do prodhonin impakt pozitiv dhe afatgjatë për ekonominë shqiptare. Aq më tepër kur rezorte të tilla funksionojnë si ishuj të izoluar që nuk komunikojnë me tregun dhe bujqësinë shqiptare. 

Në fakt bujqësia dhe agro-industria shqiptare nuk ka arritur të fuqizohet mjaftueshëm as nga “turizmi ordiner” dhe jo më ai elitar. Supermarketet në Durrës janë plot me produkte nga Italia ndërsa në Sarandë shumica e mallrave dhe ushqimeve vjen nga Greqia.

Nëse bujqësia dhe agroindustria jonë nuk ka arritur ti përgjigjet turizmit “ordiner” që është shumë më i integruar me tregun lokal dhe ka pretendime relativisht të ulëta, përse do zhvillohen më shumë nga turizmi elitar? Aq më tepër kur ky i fundit konsumon shumë më pak se turizmi masiv, është shumë më i izoluar nga tregu lokal i punës, dhe ka kërkesa shumë më të larta që bujqësia dhe agroindustria jonë vështirë se i plotëson.

Në këto kushte mrekullia ekonomike e rezortit të Zvërnecit, të Sazanit dhe e turizimit elitar në përgjithësi janë përralla me mbret. Nuk ka asnjë llogjikë ekonomike që na thotë se duhet të priorizojmë turizimin elitar përball atij “ordiner”. Aq më pak se duhet ti falim tokën, perlat tona natyrore dhe taksat rezorteve luksoze që fitimet i çojnë tek pronarët e tyre jashtë vendit.  


Llogjika që shpjegon rezortet luksoze në Zvërnec, apo faljen e tokës publike në Sazan, është politike dhe jo ekonomike. Bëhet fjalë për një investim politik të kryeministrit Rama tek presidenca dhe familja Trump, që siç ka argumentuar dikur vetë kryeministri është një turp i SHBA-ve. 

Pikërisht për këtë arësye dorëheqja e tij është një kërkesë e arësyeshme. Vetë kryeministri Rama e ka lidhur fatin e tij politik me projektin e Zvërnecit, duke insistuar se ai projekt do bëhet edhe pse është bërë gjithnjë e më evidente shkalla e korrupsionit dhe e katastrofës ambientale që ai përfaqëson. 

Ndaj rënia e projektit të Zvërnecti dhe e modelit të turizmit elitar që i fal toka dhe taksa miliarderëve nënkupton edhe rrëzimin e ideatorit të tij, kryeministrit Rama. Aq më tepër kur ky model është thellësisht i përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash nga aktivitete kriminale.

Të kuptohemi, bëhet fjalë thjesht për dorëheqjen Ramës dhe jo për largimin e PS-së nga pushteti, apo për organizimin e zgjedhjeve të reja. Ndonëse kjo duket si një qamet i madh për establishmentin tonë politiko-mediatik, në fakt është një rutinë mëse normale në një demokraci parlamentare, ku kryeministrat shkojnë e vijnë.

Mjafton të shikosh çfarë po ndodh në Britaninë e Madhe ku Keir Starmer që vetëm dy vite më parë arriti një fitore elektorale madhështore sot po jep dorëheqjen për ti lënë vendin një kryeministri tjetër laburist. Të njëjtën gjë bënë edhe konservatorët britanikë kur ishin në pushtet, ndërruan rreth katër kryeministra e qeveri për të tejkaluar krizën politike me të cilën përballej Partia Konservatore.

Sot Shqipëria përballet me një krizë politike sa reale edhe të pamohueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për Zvërnecin por edhe për një sërë mega-skandalesh korruptive, majtas dhe djathtas, që kulminuan me rastin Balluku. Ndaj qytetarët janë sot në rrugë duke protestuar ndaj një qeverie dhe një opozitëme thellësisht të korruptuar. 

Kriza të tilla kërkojnë zgjidhje dhe jo zgjedhje që shërbejnë thjesht për të riprodhuar status quo-në. Zgjidhja më e thjeshtë dhe e llogjikëshme është ndërrimi i kryeministrit. 


Duhet një kryeministër i ri, një qeveri e re me një model politik dhe ekonomik të ndryshëm nga aktuali, e panjollosur nga skandalet e shumëta që kanë përfshirë qeverisjen aktuale. Pikërisht ashtu sic po ndodh në rastin e Partisë Laburiste në Britani. 

Partia Socialiste e ka të gjithë tagrin politik që të prodhojnë një qeverisje të re, larg modelit korruptiv dhe përjashtues të qeverisjes Rama. Ky është standarti elementar i sistemit parlamentar, rotacioni i kryeministrave dhe demokracia e brendëshme e partive.

Ndaj kërkesa politike e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Rama është rivendosja e një standarti bazik të sistemit parlamentar që establishmenti ynë politik dhe mediatik e ka harruar prej kohësh. Si politikanët edhe mediat tona e kanë normalizuar mungesën totale të demokracië brenda partive dhe privatizimin e tyre nga udhëheqësit e përjetëshëm.

Protesta qytetare po synon të shembë këtë anomali dhe të rivendosë një standart minimal të demokracisë parlamentare, dorëheqjen e një qeverie dhe kryeministri të zhytur në skandale korruptive.  

Ky standart i çliron partitë politike nga modeli i tiranisë së liderit të përjetëshëm dhe krijon mundësinë e rilindjes reale të demokracisë shqiptare nëpërmjet stimulimit të demokracisë së brendëshme të partive që prodhon qarkullimin e elitave politike. Në këtë aspekt protesta qytetare po mbush boshllëkun demokratik dhe po denoncon degradimin korruptiv që kanë prodhuar partitë tona nën diktatin e kryetarëve të përjetëshëm. 

Ndaj kërkesa e protuestuesve për dorëheqjen e Ramës nuk është thjesht e arësyeshme por e domosdoshme për të prodhuar një demokraci ku zgjedhjet prodhojnë zgjidhje dhe jo vetëm riciklim të dinosaurve politikë që privatizojnë pushtetin publik./lapsi.al

 

Po ndodh...