Rama& Berisha, përse i refuzojnë mesazhet e protestës?

24 June 2026, 17:45 / IDE NGA INDRIT GJYZELI
Rama& Berisha, përse i refuzojnë mesazhet e protestës?

Në vështirësi të plotë për të kontrolluar zemërimin qytetar, Rama nuk po arrin dot të lexojë mesazhet e dala nga protesta. Jo kërkesat e lexuara nga Dritan Goxhaj në emër të grupit organizator. Me to ai mund të ballafaqohet politikisht. Por Rama po tregon për herë të parë pas 13 vitesh kryeministër se nuk po arrin të lexojë mesazhin më të fortë të zemërimit qytetar- Ai nuk ngjit më, sepse është i pabesueshëm për publikun!- Ky mesazh është ndoshta më i vështiri, që ka nxjerrë kryeministrin nga çdo binar komunikimi normal, duke bërë që t'i sulet herë Dritan Goxhajt, herë një hoxhe, herë një armiku imagjinar, iranian apo grek. Ndërkohë që, si dashnor i vjetër i komunikimit, Rama e di shumë mirë se, të flasësh pa besimin e publikut ndaj teje, është si të besosh se era është mur i fortë, që nuk lëviz.

Edhe më absurd duket këmbëngulja e kreyt të PD, Berishës, për të mos lexuar mesazhet e protestës. Në një përpjekje donkishoteske për të fituar flamurin e protestës ai kërkon të bëjë mbështetësit e tij të besojnë se thirrjet në shesh "Rama burg, Berisha burg", janë vetëm nga persona sporadikë.
Në fakt, duke e trajtuar sheshin e protestës si shans për t'u rikthyer në pushtet, Berisha po vonon edhe në këtë çast të artë mundësinë e opozitës për reflektim ndaj asaj që po ndodh me zemërimin qytetar. Refuzimi i Berishës për të lexuar mesazhet e protestës është konfirmimi se si ka tredhur politikisht grupin parlamentar dhe kryesinë e partisë së tij, që nuk arrijnë të artikulojnë atë që qytetarët e thonë me zë të lartë. (Madje, për të shmangur çdo suprizë brenda demokratëve Berisha ka shmangur edhe ngritjen e institucioneve të reja drejtuese të partisë).
Gjithsesi, pavarësisht se Rama dhe Berisha po luajnë me mbijetesën e tyre politike përballë një refuzimi të përbashkët, rezultatet mund të jenë krejt të ndryshme përballë çdo përfundimi që mund të ketë protesta. Kështu, Rama do kërkojë të ruajë kufijtë e mbështetësve të tij, duke menduar edhe versionin për zgjedhje të parakohshme, ndërsa Berisha, që e ka të vështirë të bëjë edhe një mbledhje Këshilli Kombëtar në PD, thuajse e ka mision të pamundur të bëjë bashkë opozitën.
Ndërkaq, versioni i një bashkëpunimi edhe më të fortë Rama-Berisha përballë ta zvogëluar apo rrëmbyer protestën do detyrojë krijimin e një fronti popullor, që edhe pse me shumë ngjyra politike, do arrijë të fitojë lehtësisht zgjedhjet përballë të dyve.
Duke e llogaritur se pas çdo lëvizje duhet të ketë zgjedhje politike, gjer më sot protesta ka bërë atë që ishte e domosdoshme për të kuptuar situatën- refuzim dhe vetëm refuzim ndaj të dyve. Madje, thirrja "Rama burg, Berisha burg" ka rezultuar më e rëndësishmja nga thirrjet që të ruajë balancën e refuzimit, edhe pse anëtarët e forumeve të PD-së mundohen të pinë pak ujë kur thërritet në shesh "... Berisha në burg".
E megjithatë, në këtë proces të përballjes që po shkon drejt fundit të javës së katërt, asnjë nga PS e nga PD nuk mund të thotë se nuk e kupton se sheshi shkundi hipokrizinë e Ramës për "një qeverisje për qytetarin", siç ka premtuar çdo fushatë, ndërkohë që vetëm ka përzgjedhur biznesmenët që do fitonin tenderat zyrtarë e do merrnin lejet e ndërtimit e shfrytëzimit, si dhe hipokrizinë e Berishës që fajësonte qytetarët që nuk e mbështesnin.
Si për ironi, Rama beson ende se mund t'i bëjë makijazh qeverisjes duke nxjerrë në terren deputetë e zyrtarë, të cilët, tani pas protestës do mbledhin edhe më shumë urrejtje e përbuzje qytetare. Ndërkohë, Berisha ka përqafuar me dashje një figurë qesharake, duke besuar ende se ata që kërkojnë largimin e tij janë "opozita e opozitës".
Sikur vetëm për këtë kokëfortësi të të dyve për të mos lexuar mesazhet e protestës, që rezulton të jetë shumë më e madhe se sa ata që janë në shesh, të dy ata, Rama dhe Berisha, meritojnë shpërfilljes e protestuesve, të cilët tashmë i kanë treguar shoqërisë shqiptare se të jetosh me dinjitet e të kundërshtosh bashkëjetesën me të keqen, është e mundur dhe e arritshme!

Po ndodh...