2.4 milionë euro për qendrën e re biometrike të Policisë së Shtetit, do të lidhë fytyrën, gjurmët e gishtave, zërin dhe tatuazhet e qytetarëve

Policia e Shtetit do të pajiset me një qendër të re për identifikimin biometrik, e projektuar për të bashkuar në një sistem të vetëm gjurmët e gishtave, njohjen e fytyrës, fotografitë, tatuazhet, zërin dhe kontrollin e dokumenteve të identitetit.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara hapi këtë të mërkurë tenderin me fond limit 223.6 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.39 milionë euro, për ngritjen e Qendrës me Sistemet Multiaplikative të Identifikimit Biometrik të Personit, AMAIS, pranë Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në Mullet.
Kontrata parashikon furnizimin me 12 sisteme shumëfunksionale për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave biometrike të personave të ndaluar ose të arrestuar, si dhe 30 pajisje portative për identifikim përmes gjurmëve të gishtave dhe imazhit të fytyrës.
Sistemet fikse do të instalohen në struktura të Policisë së Shtetit ku kryhen procedurat për personat e ndaluar dhe të arrestuar. Ato do të përdoren për krijimin e dosjeve biometrike me të dhëna personale, numrin e regjistrimit penal, gjurmët e dhjetë gishtave dhe të pëllëmbëve, fotografitë ballore dhe në profil, imazhet e tatuazheve dhe shenjave të veçanta, si dhe kampionin e zërit.
Pajisjet duhet të mundësojnë marrjen automatike të fotografive, kontrollin e cilësisë së imazhit, rregullimin e pozicionit të personit dhe transmetimin e të dhënave drejt bazave qendrore të Policisë së Shtetit. Sistemet do të lidhen me AFIS/APIS për gjurmët e gishtave dhe me AFAIS për identifikimin përmes fytyrës.
Dokumentet parashikojnë që gjurmët e personave të ndaluar ose të arrestuar të krahasohen automatikisht me të dhënat e administruara si prova shkencore në çështje penale nën hetim ose të pezulluara. Gjurmët e gjetura në vendngjarje duhet gjithashtu të dërgohen në kohë reale në sistemin AFIS/APIS për krahasim me bazën e të dhënave.
Tridhjetë pajisjet portative do t’u lejojnë strukturave policore të verifikojnë në terren identitetin e një personi përmes gjurmëve të gishtave dhe fytyrës. Rezultatet e kërkimit duhet të rikthehen në terminal së bashku me të dhënat e regjistruara për individin në sistemet qendrore, raporton Monitor.al.
Pajisjet do të përdoren edhe për kontrollin e kartave të identitetit, pasaportave biometrike, vizave dhe dokumenteve të udhëtimit. Ato duhet të lexojnë çipin RFID dhe kodin MRZ, të krahasojnë fotografinë dhe gjurmët e ruajtura në dokument me personin që e paraqet atë dhe të analizojnë elementet e sigurisë përmes dritës së bardhë, ultravjollcë, infra të kuqe dhe ndriçimit këndor.
Platforma elektronike do të përfshijë pajisjet, programet dhe shërbimet për lidhjen e terminaleve portative me bazat qendrore. Dokumentacioni kërkon gjithashtu një bazë me modele dokumentesh dhe kartëmonedhash, me elemente sigurie nga të paktën 100 vende.
Po ndodh...
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë
ide
Dumbabistët e rinj
Nga rotacioni i elitave te zëvendësimi i elitave
Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128