
10 orë në rajon, si i ngatërroi Policia aktorët me trafikantët? Shkak 'Flaka'...e gabuar, ja reagimet

Një skenar i denjë për skenë filmi dramatik do të ishte ajo që u ka ndodhur të hënën trupës së aktorëve të Kosovës, në Pikën Kufitare të Morinës në Kukës. Një ngatërresë e Policisë shqiptare, e cila po gjurmonte trafikantët, i përballi me “forcën e ligjit”. Shkak është bërë emri i një aktoreje, Flaka, e cila ishte e njëjtë me atë që kërkonte Policia. Por Policia nuk e dinte që aktorja me emrin Flaka, nuk ishte ajo që ata kërkonin me ngulm, konkretisht Flaka Abdullahu.
Si nisi gjithçka?
Gjithçka ka nisur gjatë një operacioni të Policisë shqiptare për kapjen e dy grupeve trafikantësh, të cilët trafikonin tritol, lënda plasëse më pas përdorej për ngjarje kriminale në vend. Në mes të të kërkuarve ishin dhe Dritoro Azemi dhe Flaka Abdullahu, të dy të shpallur në kërkim dhe që ende nuk kanë rënë në prangat e Policisë.
Trupa e aktorëve, të cilët u ndaluan në Kukës po ktheheshin nga Firenze ku kishin vënë në skenë shfaqjen "The Handke Project". Por gjatë rrugës ata u ndaluan në Morinë nga Policia dhe Forcat Operacionale, që ishin duke zbatuar planin operacional për kapjen e grupit të trafikantëve. Ata u arrestuan dhe u mbajtën për plot 10 orë në Polici.
10 orë…në polici
Pas arrestimit të tyre aktorët u mbajtën për disa orë në rajonin e Policisë në Kukës ku u morën në pyetje nga Policia, e cila ende nuk e dinte që kishte bërë një ngatërrese, e cila arrin në kushtet e një skandali të rëndë. Gjatë qëndrimit në polici aktorët shprehen se janë përballur me dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e forcave të rendit.
Në një reagim të një dite më parë Qendra “Multimedia”, shkruante se aktorët janë dhunuar dhe janë mbajtur nën kushte terrori. Ndërsa kanë lëshuar akuza të rënda ndaj Policisë, për të cilën shprehen se përpos efektivëve që zbatojnë detyrën ka dhe nga ata shkelin ligjin.
“Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar,”- thuhet në reagim.
Reagimi i Qendrës “Multimedia”
Artistët nga Kosova bëhen subjekt i dhunës policore në Shqipëri
Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë "The Handke Project". Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza", një pjesë e ekipit të shfaqjes u ndaluam në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.
U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, na lanë të lirë mëngjesin e sotëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.
Megjithatë e ndiejmë të nevojshme t'ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.
U themi faleminderit edhe miqëve, kolegëve, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata për të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firenze e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.
Ekipi i shfaqjes “The Handke Project”.
Reagimet nga politika
Menjëherë pas daljes së lajmit, reagoi dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla ka sqaruar ngjarjen ndërsa shprehet se sa i përket akuzave të bëra nga aktorët për dhunë nga ana e Policisë, Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur hetimet.
Reagimi i Ballës:
“Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj: Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMË” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.
Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”. Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit”.
Ndërkohë një reagim ka ardhur dhe nga Partia Demokratike, nëpërmejt Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka. Sipas numrit dy të PD tashmë dhuna është një sjellje e normale në Policinë e Shtetit ndërsa lëshon akuza ndaj Qeverisë.
Reagimi i Flamur Nokës:
Kjo fjali alarmante nuk është qendrimi i radhës i Partisë Demokratike. Është shkëputur nga një reagim i artistit shqiptar nga Kosova, Jeton Neziraj. Zoti Neziraj, bashkë me një grup artistësh të tjerë që po ktheheshin në Rinas nga Firence, ku kishin vënë në skenë një pjesë teatrore, janë ndjekur nga banditë me uniformë gjatë rrugës dhe janë shoqëruar dhe ndaluar në stacionin e narkopolicisë në Kukës. Aty, me urdhër politik, janë keqtrajtuar shtazërisht, fizikisht dhe psiqikisht, dhe janë mbajtur për disa orë, dhe më pas janë rikthyer në Tiranë ku ka vazhduar keqtrajtimi i tyte përgjatë natës në Drejtorinë e Policisë, duke u liruar të nesërmen.
Po citoj sërish zotin Neziraj: “Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; që gjuhën seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre.”
Të nderuar qytetarë: Këto përcaktime të Policisë së shtetit ju i keni hasur sa në deklaratat dhe denoncimet e Partisë Demokratike, sa në dosjen “Metamorfoza”, apo në aktet e shtazërisë te Teatri Kombëtar, vrasja e Klodian Rashës, e qindra të tjera. Megjithatë, në gjuhën dhe përkufizimin e një artisti si Neziraj, një njeriu që politikë të vetme ka artin, ato tingëllojnë dhe marrin një përmasë vërtetësie tjetër. Ato duhet t’i shërbejnë çdo qytetari që e sheh Partinë Demokratike si të anshme, në këtë betejë për normalitet në Shqipëri, si shenjë e politizimit të thellë, banditesk dhe anti-qytetar të Policisë. “Vagabondë me uniformë”, i quan Neziraj, dhe me të drejtë. Kjo është fytyra e policisë së Edi Ramës dhe Tauant Ballës. E tillë që artistët nga Kosova i trajton si armiq dhe Goran Bregoviqët e serbomadhnisë i përcjell me eskorta dhe masa sigurie. Kjo është fryma armiqësore që ka injektuar për shqiptarin e përtej kufrit Edi Rama. Që nga Ballkani i hapur, një projekt anti-kosovar e antishqiptar, e deri te trau në Rrugën e Kombit. Nuk mjafton vetëm trau si doganë e dytë për shqiptarët e përtej kufirit, por tani ai ngre mbi ta edhe shkopin e policëve, që paguhen, ndër të tjera, edhe nga qindra e qindra milion euro që shqiptarët e Kosovës kontribuojnë në ekonominë shqiptare, sa herë vizitojnë Shqiperine. Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të poshtërsisë policore dhe të anti-shqiptarizmit. Cdo dorë polici të kriminelit Taulant Balla, e ngritur mbi artistët nga Kosova, cdo dhunë verbale, cdo tejkalim kompetence do të përballet së shpejti me përgjigjen më të merituar të rendit dhe ligjit. Ky qëndrim çnjerëzor dhe antishqiptar ndaj artistëve kosovarë, është një krim shtetëror i narkoshtetit të Edi Ramës, dhe si i tillë do të trajtohet nga opozita. Si i tillë duhet të trajtohet nga të gjithë shqiptarët, këtej apo andej kufirit, në trojet etnike apo në Diasporë. ZËRI ka tentuar të kontaktojë me dramaturgun Jeton Neziri, i cili ishte pjesë e trupës së aktorëve që u arrestuan nga Policia dhe u mbajtën në rajon, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje nga ai.
Çfarë ndodhi tre ditë më parë?
Policia e Tiranës ka ndërmarrë dy operacione kundër trafikimit të lëndëve plasëse, si dhe ka zbardhur vendosjen e një sasie eksplozivi në zyrën e noteres Esmeralda Dauti. Policia ka goditur një grup që trafikonte tritol nga Kosova, ku ka arrestuar 3 të rinj, dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol, me peshë 46 kg./ZËRI
-
-
-
-
Festivali ‘Sunny Hill’ rikthehet këtë verë
7 Shkurt, 18:21 -
-
-

Pse Aleanca Madhështore përfundoi në Foltore 2
ide


Teatri politik me listat e PS dhe PD

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit Madhështorë!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128