Arrestimi i Dritan Rexhepit, si funksiononte karteli i parë shqiptar i kokainës

10 Nëntor 2023, 23:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

Arrestimi i Dritan Rexhepit, si funksiononte karteli i parë shqiptar i

Në orët e para të mëngjesit të 15 shtatorit 2021, qindra oficerë policie – përfshirë skuadra të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, me asistencën e Europol dhe Eurojust, zhvilluan bastisje të koordinuara në 10 vende të ndryshme në Europë dhe në Lindjen e Mesme, duke arrestuar 20 të dyshuar, pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar të njohur si “Kompania Bello”.

Sipas Europolit, ky rrjet ishte një sindikatë kriminale profesioniste dhe konsiderohet një nga organizatat më aktive të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë.

"Për shumë vite, trafikantët ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga grosistët dhe grupet kriminale që e shpërndajnë drogën në rrugë,” tha Europol nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

“Në këtë rast, ky grup kriminal shqiptar që është nën hetim, e përmbysi këtë model dhe kontrollonte të gjithë zinxhirin – nga sigurimi i dërgesave të mëdha nga Amerika e Jugut e deri në shpërndarjen e saj në Europë,” shtoi agjencia ligjzbatuese europiane.

Operacioni policor i koduar ‘Los Blancos” erdhi pas një hetimi 5-vjeçar të udhëhequr nga Prokuroria e Firences, i mbështetur mbi një grup hetimor të përbashkët italiano- holandez dhe konsiderohet si hetimi më kompleks dhe afatgjatë i ndërmarrë ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqiptar.

Sipas vendimit të Gjykatës së Firences për masat e arrestit dhe sekuestrot preventive të lëshuara kundër të dyshuarve – një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN, ky kartel kriminal i cili përbëhej nga disa organizata shqiptare të përfshira në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës, drejtohej nga Dritan Rexhepi, një 40 vjeçar me origjinë nga Vlora, i burgosur në Ekuador prej vitit 2014.

“Rexhepi ka krijuar një kartel shqiptar të narkotrafikut, markën e tij të quajtur “Bello”, i të cilit është kapo i padiskutueshëm, duke disponuar sasi të pafundme kokaine, që e blen drejtpërdrejt, bashkërisht ose nëpërmjet partnerëve të tij amerikano- jugorë të organizatave ‘Narcos’ të pranishme në Ekuador,” shkruhet në procedimin penal të Prokurorisë së Firences.

“Kjo strukturë kriminale është në gjendje ta shpërndajë kokainën në të gjithë Europën dhe në mënyrë të veçantë në Itali, si dhe ka degë në të gjithë Europën dhe Shqipëri, që i përgjigjen Rexhepit edhe për ndërmarrjen e krimeve të rënda si vrasja,” shton prokuroria italiane.

Përveç Rexhepit, prokuroria italiane ka ngritur akuza për trafik ndërkombëtar të drogës si dhe krijim e pjesëmarrje në organizata kriminale për 33 të dyshuar, pjesa më e madhe shtetas shqiptarë me banim në Holandë dhe Itali.

Përpara operacionit Los Blancos, 84 anëtarë të dyshuar të kartelit kriminal janë arrestuar gjatë 5 viteve të fundit në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.

“’Kompania Bello’ është një bashkim operatorësh kriminalë, të cilët kanë detyra të qarta dhe fitime të veçuara nga njëri-tjetri,” shpjegoi një prokuror shqiptar që ka marrë pjesë në operacionin Los Blancos.

“Sigurisht që përbën rrezik për rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri, pasi kemi të bëjmë me një bashkim operatorësh me potencial të madh kriminal dhe ekonomik,” shtoi prokurori, i cili foli në kushtet e anonimatit.

Po ndodh...