BIRN: Digjitalizimi i administratës publike sjell shqetësime mbi privatësinë

11 Mars 2025, 18:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

BIRN: Digjitalizimi i administratës publike sjell shqetësime mbi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit organizoi të martën një tryezë advokimi ku prezantoi disa prej rekomandimeve kryesore lidhur me procesin e digjitalizimit të administratës publike dhe mbrojtjes së të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri.

Ekspertët e kësaj tryeze parashtruan disa prej problematikave kryesore që ka Shqipëria për sa i përket procesit të digjitalizimit, teksa institucionet e pavarura nënvizuan mungesën e kapaciteteve në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë kibernetike në vend.

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit theksoi se në Shqipëri kultura e mbrojtjes së të dhënave vijon të mbetet në nivele të ulëta.

“Në vitin 2021 kemi pasur katër precedent të rrjedhjeve masive të të dhënave në Shqipëri. Nga numri  shumë i ulët i ankesave që pasuan këto rrjedhje, u vu re që kultura e mbrojtjes së të dhënave personale në vendin tonë nuk është akoma në nivelin e duhur”, tha Erida Skëndaj, drejtuese ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Sipas ekspertëve, kalimi i ofrimit të shërbimeve të administratës publike online nëpërmjet portalit “e-albania” solli sa lehtësi, aq edhe problematika për shtresat vulnerabël.

“Mungesa e aftësive digjitale, mundësitë e pakta ekonomike, si edhe mungesa e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar e bën më të vështirë gjithëpërfshirjen e popullatës në aksesin e këtyre shërbimeve digjitale”, tha ekspertja Blerina Bulica.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit për sa i përket legjislacionit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale, apo risive të përdorimit të aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale, institucionet publike akoma vijojnë të kenë mangësi për sa i përket respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi u shpreh se mungesa e buxhetimit dhe e burimeve njerëzore si specialistë për mbrojtjen e të dhënave e vështirëson në praktikë zbatimin e ligjit për këto të drejta të qytetarëve.

“Buxhetimi dhe burimet njerëzore mbeten sfida jonë më e madhe, si edhe krijimi i një kulture të mbrojtjes së të dhënave”, tha Besnik Dervishi.

Ngjashëm, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda u shpreh se jo rrallë herë ata kanë konstatuar raste të diskriminimit në aksesin e shërbimeve digjitale për shkak të një statusi të caktuar të aplikantit.

“Kryesisht ata me probleme ekonomike, apo të moshuarit e kanë të pamundur të kenë akses në shërbimet digjitale”, u shpreh Gajda.

“Do duhej që vetë strukturat apo institucionet shtetërore të ofrojnë ndihmë për këto shërbime, qoftë në mënyrë të centralizuar apo të decentralizuar”, vijoi Gajda.

Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Besnik Deda referoi më tej shqetësimet dhe ankesat e shumta të qytetarëve lidhur me mungesën e privatësisë në administrimin e të dhënave të tyre personale nga institucione të ndryshme.

“Një sondazh i yni ka gjetur se pothuajse 60% e të intervistuarve besojnë se të dhënat e tyre nuk përdoren sic duhet”, tha Deda.

“Mungesa e protokolleve të sigurta për përdorimin e të dhënave të qytetarëve është një prej shqetësimeve kryesore që ka konstatuar institucioni ynë” përfundoi ai./BIRN

 

 

Po ndodh...