EMRI/ Zhvatën miliona euro nga llogaritë e mijëra njerëzve me 'call center'-a, arrestohet në Dubai miku i Amant Josifit

4 Mars 2024, 14:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

EMRI/ Zhvatën miliona euro nga llogaritë e mijëra njerëzve

Në vijim të punës së kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për mashtrim të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, të operacionit policor të koduar “Platformat”. Gjatë operacionit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Merxhan Çeliku, 32 vjeç.

Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar 32-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Grupi ku dyshohet se merrte pjesë shtetasi M. Ç., akuzohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike, ka mashtruar shtetas nga Shqipëria, RMV-ja, Gjeorgjia dhe Ukraina, për të investuar në tregje online. Nga mashtrimet, grupi i strukturuar kriminal ka përfituar shuma të mëdhaja parash.

Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

Kujtojmë që 32-vjeçari Merxhan Çeliku është bashkëpunëtor i grupit të Amant Josifit, ish-këshilltari i Olta Xhaçkës dhe ortaku i Olsi Ramës të cilët kanë përfituar miliona euro përmes skemave të mashtrimit të Call Center-ave.

 

Po ndodh...