
Gazetarja Glidona Daci sulmohet me gjuhë denigruese online

Një profil Facebooku i krijuar së fundmi me pseudonim bazuar në aliasin e përdorur në kallëzimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj ka sulmuar online të hënën gazetaren Glidona Daci, duke përdorur aludime dhe epitete denigruese.
Në një bisedë me BIRN, gazetarja e Klan News, Glidona Daci tha se sulmi kishte lidhje me punën e saj dhe konkretisht komentet e bëra sëfundmi në televizion mbi çështje në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
“Sulmi mendoj se lidhet me detyrën time si gazetare, për shkak edhe të raportimeve që kam bërë në lidhje me zhvillimet e fundit dhe punës së Prokurorisë së Posaçme”, tha Daci. Ajo shtoi se nuk e njihte dhe nuk kishte idenë kush ishte pas sulmit, por vuri në dukje se do të denonconte rastin.
“Nuk është hera e parë që jam në qendër të këtyre sulmeve, por të arrinin deri në këtë pikë që të më denigrojnë figurën time, nuk e prisja”, tha ajo.
Daci thotë se ndjehet keq vetëm për mënyrën se si mund ta përjetojë familja e saj, por shton se nuk do të dorëzohet. “Kam një gjë për familjen time: mos u mërzisni, ju e dini çfarë vajze keni rritur dhe nuk do dorëzohem në kryerjen e punës time ashtu siç kam bërë deri më tani”, tha ajo.
Sulmet denigruese dhe ngacmimet online ndaj gazetareve femra, bazuar në gjininë e tyre, janë të përsëritura. Përmes një deklarate të shpërndarë të hënën, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shprehu shqetësimin e thellë për shtimin e sulmeve online ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, gjatë ditëve të fundit.
“Në një klimë të tensionuar politike, vërejmë me alarm rritjen e gjuhës së urrejtjes, intimidimit dhe përpjekjeve për të denigruar gazetarët. Roli i tyre është të raportojnë mbi zhvillimet e përditshme, përfshirë ato të drejtësisë, dhe askush nuk duhet t’i frikësojë apo t’i pengojë në ushtrimin e detyrës së tyre për të sjellë të vërtetën, cilado qoftë ajo,” tha Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë./REPORTER.AL

Fundi i një Lideri të fortë edhe njëkohësisht të dobët, si rasti Rama!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128