“I forti” i Niklës ka frikë?! Durim Bami me shkresë urgjente Burgjeve: Më çoni në Fushë Krujë, këtu te “313” janë kundërshtarët e mi

27 Shkurt 2026, 15:29 / AKTUALITET ALFA PRESS

“I forti” i Niklës ka frikë?! Durim Bami me shkresë

I ekstraduar një ditë më parë nga Dubai drejt Shqipërisë, Durim Bami, i njohur si “i forti i Niklës”, ka kërkuar transferimin e menjëhershëm nga burgu “313” në një tjetër burg, me arsyetimin se ndodhet në rrezik për jetën.

Menjëherë pas akomodimit në IEVP 313, përmes avokatit të tij, Bami i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë zyrtare për transferim në një tjetër institucion paraburgimi.

Në kërkesë argumentohet se në ambientet e paraburgimit aktual ndodhen persona që ai i konsideron kundërshtarë, çka sipas tij përbën “rrezik real, serioz dhe aktual për jetën dhe integritetin fizik”. Mbrojtja thekson se administrata penitenciare ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë e çdo personi të privuar nga liria.

Sipas burimeve, Bami ka kërkuar transferimin në burgun e Fushë-Krujës, duke pretenduar se prania e kundërshtarëve të tij në të njëjtin institucion e vendos në kushte pasigurie.

Bami mbërriti në vendin tonë pas një operacioni ndërkombëtar, duke u nisur fillimisht nga Dubai drejt Stambollit dhe më pas drejt Shqipërisë. Shoqërimi i tij nga aeroporti i Rinasit drejt IEVP 313 u krye nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nën masa të rrepta sigurie.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë operacionit të koduar “Revansh”.

Mbi Bamin rëndojnë disa akuza të rënda penale, përfshirë: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”;  “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kultivimi i bimëve narkotike”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve të SPAK, emri i tij ka dalë në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat. Nga bisedat e administruara si prova, rezulton se ai dyshohet të ketë krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, si dhe të shtetasve Hektor Xheçuka dhe Erigers Mihasi.

Ndërkohë, pritet që ditën e nesërme Durim Bami të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, pas ekstradimit të tij në Shqipëri.

Po ndodh...

ide