Kush është ‘buzëderri’ i Vlorës që u arratis nga burgu i Peqinit. E shkuara e errët ‘i vrau’ djalin

8 Janar 2024, 12:30 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kush është ‘buzëderri’ i Vlorës që u
Sokol Sinomati, i cili dyshohet se fshihet në shtetin belg, fatkeqësisht është edhe ‘shkaku’ i ekzekutimit të djalit të tij, vetëm 22 vjeçar mbrëmjen e djeshme. Sokol Sinomati, në listën e personazheve të njohur të krimit por edhe ‘të fortëve’ të Vlorës, ka një skedë të gjatë kriminale, por edhe përballje me drejtësinë, e cila hera herës ka lehtësuar pozitat e tij.

Përfshirja e Sokol Sinomatit në ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës fillon që në fund të viteve ’90, si pjesë e bandës së Gaxhait, megjithatë në një vendim të Gjykatës së Lartë, ai u lehtësua nga akuza e pjesëmarrjes në bandë të armatosur, dhe për krimet e kryera nga ky grup iu dha një dënim vetëm për akuzën e vjedhjes me dhunë.

Së bashku me të, u lehtësuan pozitat dhe për shtetasin Armando Sulejmani (Cipuri), një tjetër personazh i krimit në Vlorë, i dyshuar për vrasjen e Ferdinand Llanajt. Sinomati dhe Sulejmani kanë pasur një miqësi të fortë mes tyre, ndërsa kanë qenë bashkëautor të një vrasje të ndodhur në qendër të Vlorës në vitin 2002.

Si i shpëtoi burgut Sokol Sinomati

Sokol Sinamati, i cili njihet në Vlorë dhe me nofkën “buzëderri”, rezulton që të jetë arratisur nga burgu i Peqinit në vitin 2017, ku vuante dënimin për vrasje. Dyshohet se Sokol Sinomati ka marrë leje për të dalë disa ditë nga burgu, dhe më pas në rrethana që nuk sqarohen as sot e kësaj dite ai është larguar jashtë Shqipërie. Pasi i shpëtoi drejtësisë, por jo armiqve që i vranë mbrëmjen e djeshme djalin e tij 22-vjeçar, Sokol Sinomati është shpallur në kërkim në datën 12 Shtator, të vitit 2017.

Menjëherë pas lirimit të tij nga qelia, Sokol Sinomati ka marrë të vëllanë e tij Bernardin dhe të birin asokohe adoleshent, dhe u largua nga Shqipëria. Ata dyshohet se u vendosën në shtetin belg, nga i cili ishte kthyer vetëm pak ditë më parë për të festuar festat e fundvitit 22-vjeçari i vrarë. Sokol Sinomati, vuante dënimin në burgun e Peqinit për vrasjen e shtetasit Elton Tato, si dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje këto të ndodhur në vitin 2002.

Si ndodhi vrasja e Elton Tatos, miqësia e Sinomatit me “Çipurin”

Për vrasjen e Elton Tatos, dhe plagosjen e Borakut, ka pasur disa zvarritje nga sistemi i drejtësisë, ndërsa përfundimisht u dha një dënim me 20 vite burg për Sinomatin, dhe 2 vite për Çipurin, vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit. Ishte data 26 Qershor e vitit 2022, kur Armando Sulejmani dhe Sokol Sinomati për shkak të një konflikti të mëparshëm me Elton Taton dhe Robert Borakun, u kanë bërë pritë viktimës dhe të plagosurit, teksa ata dilnin nga një ndeshje që kishin parë në stadiumin e qytetit.

Referuar dosjes hetimore të kohës, në përfundim të ndeshjes, shtetasit Elton e Robert kanë lëvizur para lokal “Zyrihut” me drejtim për nga qendra e qytetit dhe kanë ndaluar përbri trotuarit ku qëndronte në këmbë i pandehuri Armando Sulejmani. Pasi kanë ndaluar automjetin Sulejmani ka nisur të bisedojë me shtetasin Robert Boraku, i cili ka hapur derën e makinës.

Armando ju ka kërkuar që të shkonin së bashku deri të makina e tij, e parkuar 30 m larg vendit ku zhvillohej biseda. Të dy shtetasit i kanë kërkuar të pandehurit që të vinte të makina e tyre, por meqenëse ai nuk ka pranuar, atëherë i pari ka dalë nga makina shtetasi Elton, i cili ishte në rolin e shoferit, duke shkuar në drejtim të Sulejmanit dhe duke i vendosur pistoletën në kokë. Më pas ka dalë nga makina dhe Roberti dhe janë nisur në drejtim të vendit të propozuar nga i pandehuri Armando.

Gjatë ecjes shtetasit Elton e Robert e kanë vendosur në mes Armandon, ndërsa shtetasi Elton ia mbante pistoletën të drejtuar në kokë. Pasi kanë përshkruar një distancë rruge përpara bar “Zyriut”, në momentin që po i afroheshin automjetit tip fuoristrade, që ishte e parkuar qysh më parë, Armando i ka bërë thirrje Sokol Sinomatit që gjendej brenda në pritje të viktimave “…o Sokol qëlloi vriti….”.

Me këtë thirrje, Sokoli ka dalë menjëherë nga makina dhe me armën tip automatik ka hapur zjarr me breshëri në drejtim të shtetasit Elton e Robert, ku si pasojë ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Elton, ndërsa Roberti është larguar me vrap në drejtim të pallateve në anën tjetër të rrugës duke iu shpëtuar plumbave. Pas kësaj ngjarje ata hodhën armën e krimit në një kanal të ujërave të zeza, për tu vënë në pranga disa muaj më pas nga policia e Vlorës.

Sinjalet që i ishin dërguar Sinomatit

Pavarësisht që jetonte në shtetin belg që prej vitit 2017, sinjalet në drejtim të familjes Sinomati nuk kishin munguar, duke dhënë mesazhin se gjaku nuk falet, e në Vlorë kjo shprehje përkthehet në jo pak raste në ngjarje të rënda kriminale. Në vitin 2017, një sasi tritoli shpëtheu në makinën në pronësi të Bernard Sinomatit (vëllai i Sokol Sinomatit). Ky i fundit gjithashtu ndodhej në shtetin belg, ku dyshohet se po ashtu ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Si ndodhi vrasja dje

Sa i takon atentatit të mbrëmjes së djeshme, ai ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa lëvizjet e viktimës ishin mbajtur në vëzhgim prej disa ditësh, pas kthimit të tij në atdhe. Në momentin e ekzekutimit në rrugën pranë banesës nuk ka pasur energji elektrike, ndërkohë që mjeti i përdorur nga autorët u gjet disa minuta pas ngjarjes i djegur. Pavarësisht kontrolleve të shumta, pjesë e të cilave u bë dhe reparti i RENEA, policia e Vlorës dështoi që të binte në gjurmët e autorëve, që tronditën qetësinë dhe sigurinë e qytetit në këtë fillmvit.

Po ndodh...