Prokurorja belge kërkon 20 vite burg për Ermir ‘Cinco’ Ndreaj: Do doja të kërkoja 100 vite, por kaq më lejohet
Prokuroria Publike belge ka kërkuar dënimet maksimale ndaj Sani “Shade” Al Murdaa dhe Ermir “Cinco” Ndreaj, dy figura kryesore të mafies ballkanike në Antverpë. Organizata e tyre kriminale solli tonelata kokaine në vend dhe drejtonte një rrjet laboratorësh për pastrimin e drogës. “Për fat të keq mund të kërkoj vetëm njëzet vite burg,” deklaroi prokurorja federale Cappelle. “Por për këta kriminelë do të kisha preferuar të kërkoja 100 vite”.
Nga Joris Van der Aa, NIEWSBLAD
Kontrasti me procesin Kriva Rochem/Samba në Bruksel, që lidhet me bosin e drogës nga Limburgu, Flor Bressers, nuk mund të ishte më i madh të martën në mëngjes, kur filloi procesi Kookwas.
As kamera televizive, as ushtri policësh të armatosur deri në dhëmbë, dhe as Hans Rieder nuk u panë. Megjithatë, figurat kryesore që dalin në gjyq në Dendermonde nuk mbeten aspak mbrapa krahasuar me Bressers.
Madje, i pandehuri kryesor, Sani Al Murdaa, një boshnjak nga Antverpa dhe udhëheqës i mafies ballkanike, thuhet se është edhe më i madh se Bressers. Ai drejton një rrjet kriminal që shtrihet nga Kolumbia deri në Australi. Çdo mëngjes zgjohet, pi kafenë, luan pak me fëmijët dhe më pas menaxhon linjat e drogës deri natën vonë. Rrjeti i tij është kudo, por vendndodhja e tij mbetet e panjohur për policinë. Antverpë, Turqi, Pakistan – policia i ka humbur gjurmët e tij. Jo më kot nofka e tij është “Shade” (Hija).
Në dosjen Kookwas, Al Murdaa është lideri kryesor që merr të gjitha vendimet e rëndësishme. Në fund të vitit 2020, ai vendosi të eksperimentojë me laboratorë për pastrimin e kokainës. Shpresa ishte të kontrabandonte kokainë në mënyrë të padukshme drejt Evropës, të përzier në ngarkesa legjitime si pigment, çimento, oksid hekuri apo edhe kanoçe me ton. Në këto laboratorë, përfshirë edhe një pranë Sharloanit, shpresohej të rikuperohej kokaina duke trajtuar kimikisht ngarkesat. Për këtë qëllim Al Murdaa sjell kokainë kolumbianë në Belgjikë dhe Holandë. Ai investoi miliona në ndërtimin e këtyre laboratorëve, por pas shumë dështimesh, vendosi t’i braktisë, duke i konsideruar jo mjaft fitimprurës dhe shumë problematikë.
Policia gjyqësore federale e Flandrës Lindore (Dendermonde) e vuri në shënjestër organizatën e Al Murdaa-s në fund të vitit 2020, pasi në Holandë zbulohen disa kamionë me mbeturina droge, përfshirë fuçi me kimikate nga laboratorët e pastrimit. Hetuesit zbulojnë se organizata merr ndihmë nga disa biznesmenë të ndërtimit, të cilët ndihmojnë gangsterin jo vetëm me importin e drogës, por edhe për t’u liruar sa më lehtësisht nga mbeturinat kimike. Disa fuçi ngarkohen në anije për Afrikë, ndërsa një nënkontraktor i korruptuar derdh fshehurazi mbeturinat në një përpunues betoni të një kompanie ndërkombëtare ndërtimi. “Kjo kompani punon për Oosterweel. Pra ekziston mundësia që të kaloni me makinën tuaj mbi helmin e laboratorëve të kokainës,” paralajmëron prokuroria.
Sani Al Murdaa mbështetet te dy kriminelë të tjerë të lartë: shqiptari nga Antverpa, Ermir Ndreaj (Cinco), krahu i tij i djathtë, dhe Yassine M. (Teentje), një maroken nga Antverpa me rrjet të fuqishëm në port. Kjo treshe mbështetet më pas te Ronald V.M., një lloj menaxheri logjistik që u bë investitor kriminal. Midis viteve 2020 dhe 2022, grupi nuk ishte i zënë vetëm me laboratorët për pastrimin e kokainës, por edhe me importin e drogës përmes kompanive të frutave në portin e Antverpës.
Prokurorja federale, Marianne Cappelle, ngriti vetullat kur bëri të ditura kërkesat për dënim: “Dënimet maksimale që mund të kërkoj janë shumë të ulëta. Nuk mund të kërkoj më shumë se njëzet vite, ndërsa në fakt do të doja të kërkoja njëqind vite për këtë lloj kriminelësh”.
Sani Al Murdaa – 15 vjet (pa dënime të mëparshme)
Cinco – 20 vjet (me rekord penal)
Bert V.G. (ndërtuesi) – 7 vjet
Procesi Kookwas do të vazhdojë në ditët në vijim.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
