U shpall "non grata" në Greqi, gazetari Artan Hoxha zbardh arsyen e vendimit të autoriteteve helene

5 Dhjetor 2025, 10:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

U shpall "non grata" në Greqi, gazetari Artan Hoxha zbardh arsyen

Gazetari Artan Hoxha është ndaluar në kufirin grek dhe është shpallur person i padëshiruar, me arsyetimin zyrtar se përbën “kërcënim për rendin dhe sigurinë publike”.

I ftuar në Çim Peka Live në SYRI TV, Hoxha u shpreh se arsyeja e vërtetë fshihet pas punës së tij profesionale dhe qëndrimeve publike në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare.

Ngjarja ka ndodhur në datën 23 të këtij muaji në pikën kufitare pranë Janinës, ku Hoxha po kalonte për në Greqi. Pas një kontrolli fillestar, ai është dërguar për verifikime të mëtejshme, ku i janë marrë gjurmët e gishtave dhe i është bërë skanimi i retinës së syrit. Në fund të procedurave, atij i është komunikuar vendimi për shpalljen “non grata”, një vendim që, sipas autoriteteve greke, ishte marrë që gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Sipas gazetarit, justifikimi se ai përbën rrezik për sigurinë është i pabazë. Ai thekson se gjatë bisedës me zyrtarët kufitarë, i është lënë të kuptohet se shkak për këtë masë ekstreme ishte “qëndrimi i mbajtur ndaj interesave greke”. Hoxha e lidh këtë direkt me punën e tij si gazetar, duke argumentuar se ai është penalizuar për shkak të profesionit dhe mbrojtjes së interesave të Shqipërisë.

Ky incident vjen në një moment delikat diplomatik, pak para një takimi të nivelit të lartë mes dy vendeve, të parashikuar për në datën 16 qershor, ku pritet të diskutohet edhe për çështjen e hapësirës detare. Hoxha shprehet se heshtja e qeverisë shqiptare mund të jetë një strategji për të mos tensionuar marrëdhëniet para kësaj vizite të rëndësishme, sidomos pas ftohjes së raporteve për shkak të çështjes “Beleri”.

Duke e quajtur rastin e tij “jo normal” për një vend anëtar të Bashkimit Evropian, Hoxha thekson se kjo nuk është një çështje personale, por një problem që cenon lirinë e shtypit dhe të drejtat e një qytetari shqiptar. Ai përmend se ndërsa Kryeministri Rama mbante takime lirisht në Greqi gjatë fushatës së kaluar, një gazetari i ndalohet hyrja për shkak të qëndrimeve të tij.

Hoxha: Në, në datë mos gaboj 23, kam qenë duke, isha në Gjirokastër dhe po kaloja në Janinë, për në Janinë. Oficeri i kufirit i vijës së parë, tha ke një problem. Unë isha mësuar me këtë se s'më mbanin zakonisht edhe kur hyja nga aeroporti më mbanin nja gjysë ore. Dhe mendova fillimisht që do të jetë kjo gjë.

Peka: Ty të mbajnë dhe në Tiranë pra.

Hoxha: Por, patjetër. Kur më kaloi në vijën e dytë dhe filloi të merrte gjurmët e gishtrinjëve, pastaj të merrte, të marrin pamjen e retinën e syrit, janë këto kriteret e reja që janë vënë, ma bënte qartë se me çfarë kemi të bëjmë. Gjithsesi, thashë për një vend i BE-së...

Peka: Si ta bën të qartë? Çfarë të thanë konkretisht?

Hoxha: Konkretisht është qëndrimi që ke mbajtur ndaj interesave greke. Kjo është një gjë personale që thotë ai, se s'ta jep me shkrim këtë. E qartë. Por, gjatë kohës që mori në pyetje, më pyeti për këtë gjë.

Hoxha: Jo, më dha vendimin. Vendimi e ka të përcaktuar pse ti nuk lejohesh të hysh në Greqi. Pastaj s'është, është standard. Pra, ti nuk hyn, përbën, kërcënim, shqetësim për rendin dhe sigurinë publike. Imagjinoni dhe se çfarë mund t'i bëj unë një vendi.

Vendimi nuk m'u komunikua kur është marrë, por më thanë që është marrë dhe përkonte me fushatën e vitit të kaluar. Nuk është e vërtetë kjo puna e fotos, sepse thashë, unë kam hyrë edhe dy herë të tjera në Greqi dhe kam hyrë normalisht, kam hyrë në rrugë edhe tokësore, edhe ajrore, dhe nuk më kanë, nuk më kanë thënë gjë fare gjatë vitit të kaluar. Por si duket fushata, zgjedhjet u bënë në qershor. Ndikimi patjetër që është dhe që këtej, se ne nuk e kemi problemin thjesht me palën greke, ne kemi shqiptarët të cilët punojnë për interesa greke. Dhe ata kanë ndikimin e vet, kanë punën e vet. E kanë parë të arsyeshme...

Peka: I jeni drejtuar, i jeni drejtuar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë?

Hoxha: Që në momentin e parë kur unë kam dalë nga dhe më është vënë kryqi në pasaportë, kam njoftuar autoritetet tona. Kam pritur një reagim të ambasadës sonë atje. Më thanë që nuk ka ndodhur. Po ashtu më ka marrë në telefon ministrja e Jashtme dhe më ka thënë, më ka sqaruar që grekët për këto situata mbajnë një qëndrim të tillë dhe kemi ngritur një grup pune dhe shikojmë çfarë mund të bëjmë, por realisht nuk është bërë asgjë. Sepse thashë, nuk është problemi se kanë ndaluar Artan Hoxhën, punë e madhe. Por, por problemi është se kanë ndaluar një gazetar shqiptar për shkak të profesionit të tij, për shkak të punës së tij dhe thashë, mbi të gjitha unë kam mbrojtur interesat e Shqipërisë, nuk kam interesa të mia personale. Dhe ky është problem që shteti jonë nuk mundet ta kalojë këtë gjë. Meqë kemi një vizitë në datën 16 atje, dhe meqenëse do riflasim për çështjen e hapësirës territoriale detare, tani i lëmë këto situatat e tjera sikur s'ka ndodhur. Dhe vjen tek ajo shprehja e famshme që i pyesnin rumunët në kohën e Bashkimit Sovjetik që si shkoni i thanë me Bashkimin Sovjetik. Shumë mirë tha ai. U japim grurin, na marrin dhe naftën. Dhe puna jonë. Pra ne i kemi marrëdhëniet të mira kur do pala greke. Kur s'do pala greke, pra kur ne aty tregohemi gjithë servilizëm, ndodh kjo gjë. Në rast, nëse e kujton, gjatë vitit të kaluar, në zgjedhje, në fushatë, zoti Rama bëri gjithë ato takime nëpër Greqi. Pati që ta pengonte njeri atje?

Hoxha: A e pengoi njeri? Jo. Atëherë pse e ka kaq të vështirë kryeministri, në rastin konkret, të reagojë se nuk jam vetëm unë, se ka plot të tjerë qytetarë shqiptarë që kthehen çdo ditë. Por në rastin konkret, thashë, për motivet që jam shpallur unë non grata, një vend i Bashkimit Europian është me të vërtetë jo normale. Dhe mbrojtjen time unë nuk e bëj dot vetë. Do ta bëj qeveria shqiptare. E bën qeveria shqiptare, e cila në këtë rast shikon interesin e vet. Ajo reagon kur do vetë dhe e zgjidh vetë, kur do. Në rastin konkret e ka parë të arsyeshme, i intereson ai takimi i datës 16. I duket shumë i rëndësishëm që të rivendosë edhe njëherë kontaktet me palën greke, sepse për shkak edhe të çështjes Beleri që patëm problematika, patëm një lloj ftohje me kryeministrin grek. Në këtë rast zoti Beleri është eurodeputet, vazhdon aktivitetin e vet atje. Shqipëria bëri atë që bëri, ne e mbajmë mend me sa veprim, sepse folëm dhe për SPAK-un pak më parë, me sa shpejtësi veproi SPAK-u. Pra, Belerin në zgjedhjet e 2023-shit, si të them, i jepnin leje të vinte në gjyq me mua dhe nuk i jepnin leje një minutë të bënte betimin. Pra, ti gjykoje, dënoje, por në momentin që ai është zgjedhur nga qytetarët atje, ti je i detyruar t'ia japësh atij mundësinë që ai të bënte betimin. Pastaj gjykoje, mos siç mban sot Erion Velinë.

 

Po ndodh...

ide