VIDEO/ Uji merr para gjithçka, momenti kur çahet diga e HEC-it në Lukovë

16 Janar 2025, 23:45 / AKTUALITET ALFA PRESS

VIDEO/ Uji merr para gjithçka, momenti kur çahet diga e HEC-it
Një ngjarje e pazakontë ndodhi këtë të enjte ku diga e HEC-it në fshatin Bunec të Njësisë Administrative Lukovë shpërtheu dhe uji shkaktoi përmbytje të 12 bizneseve turistike. Uji dhe balta bllokuan edhe aksin rrugor Himarë-Sarandë.

Çarja e digës së HEC-it përmbyti edhe nënstacionin elektrik që furnizon Lukovën dhe Borshin. Dy zonat turistike të bregdetit aktualisht janë në terr.

BalkanWeb sjell pamjet e momenti kur çahet diga e hidrocentralit. Uji merr para gjithçka në pak sekonda.

Fatmirësisht nga incidenti nuk ka pasoja në njerëz. Strukturat e bashkisë Himarë kanë ndërhyrë për pastrimin e baltës. Hidrocentrali i Sasaj furnizohet nga lumi i Kalasës.

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Rreth orës 12:26 të ditës së sotme ujëmbledhësi i Sasajt, në Bunec, bashkia Himarë, i cili është ndërtuar në vitin 2010 ka pësuar shembje. Në momentin e shembjes ka patur rreth 15.000 metra kub ujë. Si pasojë ka prezencë uji dhe balte në 12 biznese në Bunec dhe është dëmtuar baza ushqimore e blektorisë ne 2 familje. Nuk ka probleme në njerëz.

Aktualisht është bërë i kalueshëm aksi i rrugës nacionale Bunec-Piqeras dhe po punohet nga strukturat e bashkisë Himarë për pastrimin e baltës. Situata po ndiqet nga prefektura Vlorë dhe strukturat e emergjencave civile të bashkisë Himarë.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri, në ndihmë të komunitetit.