Zëri i Amerikës: Biznesmeni i ekzekutuar Nikulaj ka pasur poste të rëndësishme

20 Prill 2023, 10:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

 

Zëri i Amerikës: Biznesmeni i ekzekutuar Nikulaj ka pasur poste

Zëri i Amerikës shkruan për vrasjen e Biznesmenit Ardian Nikulaj të ndodhur dje në Shëngjin duke nënvizuar se ai ishte person që mbante poste të rëndësishme në vend.

VOA nënvizon se Nikulaj, ishte përfshirë dhe në politikë, si pjesë e Partisë SocialDemokrate dhe aktualisht anëtar i Këshillit Bashkiak, ndodhej në mjediset e brendshme të resorit në pronësi të tij “Coral Shëngjin”, në Shëngjin kur u qëllua.

Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, autori i vrasjes ishte i maskuar, me skafandër në kokë dhe një jelek fosforeshent në trup, kur ka qëlluar me pistoletë ndaj Nikulajt. Menjëherë më pas ai është larguar me një motoçikletë.

Policia njoftoi se vrasja e 50-vjeçarit Nikulaj është kryer në orën 13 e 30 minuta, për motive ende të paqarta.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 Ardian Nikulaj ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate.

Ndërsa aktualisht ai drejtonte degën vendore të kësaj partie për qarkun e Lezhës dhe ishte përfshire ne listat e kandidateve për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen më 14 maj.

Ndërkohë Kryetari i Bashkisë së Lezhës, përmes një postimi në facebook u shpreh se “një ngjarje e tillë është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë publikë në qytetin tonë”, ndërkohë që kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes nga organet e rendit.

Ardian Nikulaj, ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore, përfshirë postin e drejtorit të ALUIZNI-t për Lezhën.

Sipas formularit të dekriminalizimit, dërguar në KQZ në vitin 2021, ai rezulton i dënuar me 4 muaj burg në vitin 2003 dhe me gjobë në vitin 2006. Në vitin 1998 ai ka qenë emigrant në Novara të Italisë.- Përfundon shkrimi i VOA-s për vrasjen e bujshme që tronditi dje Lezhën.

 

Po ndodh...