Berisha tërheq deputetët nga parlamenti, Isuf Çela i PD provokoi protestuesit para përplasjes me policinë

2 July 2026, 10:30 / POLITIKË ALFA PRESS

Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën plenare të kësaj të enjteje, pas përplasjeve të regjistruara jashtë ambienteve të Kuvendit mes protestuesve dhe forcave të Policisë.

Vendimi është bërë i ditur përmes një deklarate për shtyp nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i cili njofton se deputetët demokratë nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke e cilësuar procesin parlamentar si të njëanshëm dhe në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.

Ndonëse deputetët e PD-së ishin mbledhur fillimisht në selinë blu, me synimin për t'u paraqitur në Kuvend, ndërkohë që më vonë u tha se ata nuk do të jenë prezent në këtë seancë.

Pak minuta para nisjes së seancës, deputetët Xhelal Mziu dhe Oerd Bylykbashi u panë duke hyrë në ambientet e Parlamentit. Gjatë mbërritjes së tyre, ata u përballën me thirrjet e protestuesve të mbledhur jashtë godinës, të cilët i akuzuan duke brohoritur:"Opozitë e shitur". Ndërkohë që deputeti demokrat Isuf Çela iu kundërpërgjigj duke ngritur gishtat lart dhe më pas pas urdhrit të marrë u kthyen mbrapsht.

Po ashtu në deklaratën e saj Partia Demokratike akuzon mazhorancën se po pengon opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe se po refuzon sistematikisht të trajtojë nismat ligjore të depozituara nga opozita.

Njoftimi i PD: 

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.

Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.

Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:

1.     Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;

2.     Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;

3.     Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;

4.     Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.

Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.

Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.

Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t'i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.

 

Po ndodh...

ide