Irani kritikon propozimin amerikan për programin bërthamor: Ka pika të paqarta!

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të martën se propozimi amerikan për një marrëveshje lidhur me programin bërthamor iranian, përmban shumë paqartësi, duke theksuar se e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit është “vija e kuqe”.
“Propozimi me shkrim që morëm nga Shtetet e Bashkuara përmban shumë paqartësi dhe ngre shumë pyetje. Shumë pika të kësaj propozimi nuk janë të qarta,” tha Araghchi gjatë një vizite në Liban.
Të shtunën, Irani kishte njoftuar se kishte marrë detaje nga një propozim amerikan për një marrëveshje të re bërthamore, pas pesë raundeve negociatash indirekte me ndërmjetësim nga Sultanati i Omanit, të cilat nisën në prill.
Pasurimi i uraniumit mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit. Irani, i cili dyshohet nga Perëndimi dhe Izraeli se synon të prodhojë bombë atomike, mbrohet duke thënë se ka të drejtë të vijojë programin bërthamor për qëllime paqësore, kryesisht për prodhimin e energjisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të hënën se SHBA nuk do të lejojë “asnjë pasurim uraniumi në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme” me Iranin.
“Vijë e kuqe për ne është vazhdimi i pasurimit në territorin iranian,” tha Araghchi të martën, duke shtuar se Irani do t’i përgjigjet propozimit amerikan brenda ditëve të ardhshme, në përputhje me “pozicionet themelore të Iranit dhe interesat e popullit iranian”.
“Nuk do të kërkojmë leje nga askush për të vazhduar pasurimin e uraniumit në Iran. Megjithatë, jemi të gatshëm të marrim masa që të sigurohemi që ky pasurim nuk do të çojë në prodhimin e armëve bërthamore,” shtoi ministri i Jashtëm.
Para vizitës në Bejrut, Araghchi ndaloi të hënën në Kajro, ku u takua me Rafael Grossi, drejtorin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Grossi kërkoi “më shumë transparencë” për programin bërthamor iranian, një ditë pas publikimit të një raporti nga kjo agjenci e OKB-së, i cili tregon se Irani ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar me 60%, duke u afruar në 90% – nivel ky që nevojitet për ndërtimin e armëve bërthamore.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

