Macron forcon koalicionin e “të Gatshmëve”, 26 shtete mbështesin Ukrainën! Ja plani për krijimin e ushtrisë më të fuqishme në Evropën Lindore

4 Shtator 2025, 21:54 / BOTA ALFA PRESS

Macron forcon koalicionin e “të Gatshmëve”, 26 shtete

Presidenti francez Emmanuel Macron, për herë të tretë brenda 20 ditëve, u shfaq përkrah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të paktën 26 vendeve të “Aleancës së të Gatshmëve”, të cilat kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën, pa marrë parasysh çfarë qëndrimi do të marrë Moska.

Nga Pallati Élysée, këtë herë dolën njoftime konkrete për rrugën e përbashkët që pritet të ndjekin Kievi dhe Evropa, që përfshijnë jo vetëm afatin e shkurtër, por edhe planifikime afatgjata.

Pas disa javësh të diplomacisë intensive në nivel të lartë, është duke u formësuar një kornizë e re e bashkëpunimit për fazën e re të luftës, e cila po shkon drejt vitit të katërt. Sipas Macron dhe Zelensky, tashmë Evropa dhe aleatë të tjerë të fuqishëm si Australia dhe Kanadaja, janë gati të ofrojnë me shkrim garanci sigurie për Ukrainën.

Në këtë plan nuk përjashtohet as përfshirja e Donald Trump dhe SHBA-së, në një formë që ai vetë pritet ta shpallë. Koalicioni që nisi në fund të shkurtit dhe që për një kohë dukej i pasigurt, ka arritur të bashkojë disa nga fuqitë kryesore të botës nën një qëllim të përbashkët.

T’i ofrohet menjëherë Ukrainës mbështetja ushtarake që i nevojitet për t’u përballur me ofensivën ruse të paralajmëruar.

Në afat më të gjatë, të ndërtohet ushtria më e fuqishme e Evropës Lindore, për nga numri dhe kapaciteti, duke përfshirë investime serioze në mbrojtje, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.

Macron nënvizoi dy herë se rolet e secilit prej 26 vendeve të koalicionit tashmë janë përcaktuar, por nuk dha detaje për shkak të shqetësimeve për infiltrimin e informacionit nga Moska.

Sipas burimeve diplomatike, në këtë strategji përfshihen fonde të mëdha për mbrojtjen e Ukrainës, dhe përkundër kundërshtimeve të disa shteteve, koalicioni ka mënyra për të anashkaluar pengesat.

Presidenti francez theksoi se pjesëmarrja e SHBA-ve është e siguruar, dhe ka një angazhim personal amerikan për këtë projekt. Megjithatë, ai nuk sqaroi nëse do të ketë një dërgim të menjëhershëm armësh të avancuara nga Uashingtoni, apo nëse sërish do të përdoret modeli i blerjeve nga Zelensky dhe Brukseli.

Ndërkohë, një rrugë e qartë për sanksione të reja kundër Rusisë është vendosur mes 27 vendeve pjesëmarrëse. Macron beson se ka ende hapësirë për të goditur më fort ekonominë ruse, dhe në linjë me qëndrimin e Trump, paralajmëroi masa të reja ndaj eksporteve energjetike të Moskës.

Sa i përket rolit të Trump, SHBA-të duket se i kanë lënë Evropës pjesën “jo të këndshme” të komunikimit, ndërsa Trump pritet të përdorë stilin e tij të veçantë për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit me Putinin, me të cilin ai shpesh ka përmendur marrëdhënie “të shkëlqyera personale”.

Për t’u theksuar është fakti se, në një kohë të shkurtër dhe nën presion të madh, liderët evropianë arritën jo vetëm të mbushin hendekun mes Kievit dhe Uashingtonit, por edhe të bashkohen pas një plani francezo-britanik për rezistencë të koordinuar ndaj agresionit rus.

Merita të mëdha në këtë drejtim i atribuohen vetë Macron-it, i cili pavarësisht krizave të brendshme në Francë, ka bindur 24 vende të bashkohen brenda 5 muajsh, në një projekt që fillimisht u mbështet vetëm nga Lituania, kur u propozua në mars të këtij viti në Paris.

 

Po ndodh...