
Maqedonia e Veriut vajton 59 të rinjtë që humbën jetën nga zjarri në lokalin e natës! Çfarë dihet deri më tani për tragjedinë e Koçanit!

Një ditë pas tragjedisë në Koçan, qytetarët e Maqedonisë së Veriut vajtojnë 59 të rinjtë që humbën jetën tragjikisht nga zjarri që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të se dielës në një lokal nate në Koçan.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u zgjuan sot për të nisur mbajtjen e një jave të gjatë të zisë kombëtare, shkruajnë mediat vendase.
Të paktën 59 persona u vranë dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, në orët e para të së dielës, thanë autoritetet.
Ndërkaq, autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë ndaluar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.
Çfarë ndodhi në lokalin e natës?
Zjarri në lokalin e natës në Kocan shpërtheu në orët e para të së dielës pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, ia vunë flakën çatisë, thanë autoritetet.
Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po performonte.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se çatia e lokalit u dogj dhe u shemb në disa vende, duke lënë të ekspozuara dhe të nxira trarët e tij të brendshëm prej druri.
Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi, raporton Alsat.
Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se 20 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.
Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi, thanë autoritetet.
Autoritetet maqedonase premtuan hetim të shpejtë dhe të plotë, duke thënë se po sigurohet dokumentacioni për diskotekën e djegur, si dhe për personat e dyshuar të lidhur me zjarrin.
Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, tha se ekipi i prokurorëve janë angazhuar për ta hetuar ngjarjen.
“Për momentin, janë lëshuar urdhra për mbledhjen e provave” dhe po merren në pyetje persona, tha Kocevski.
Toshkovski tha se autoritetet kanë arrestuar anëtarë të grupit muzikor, djalin e pronarit të klubit dhe zyrtarë qeveritarë.
Ai shtoi se kanë identifikuar 20 të dyshuar në lidhje me zjarrin, 15 prej të cilëve janë në mbajtje.
Në mesin e të arrestuarve është edhe menaxheri i klubit të natës “Pulse”.
Klubi i natës nuk kishte licencë të vlefshme, sipas Toshkovskit.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se licenca ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Ekonomisë dhe premtoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
“Pavarësisht se kush janë, nga cila institucion, nga çfarë niveli, nga cila parti apo profesion”, tha Mickoski.
“Jam thyer dhe më është thyer shpirti”, ishin fjalët e para që kryeministrit maqedonas për tragjedinë që ka tronditur vendin dhe mbarë botën.
“Do të ketë hapa dhe vendime me të cilat publiku nuk është mësuar. Por ndryshimet nisin nga ne”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij dje.
“Jam i vendosur dhe do të veproj me vendosmëri. Nuk dua që kjo ngjarje të politizohet, se dikush po përpiqet të bindë një palë tjetër për përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë ndërpartiake, kjo është një betejë e të ndershmëve kundër të pandershmëve”, tha Mickoski.
“Në ditët në vijim do të marrim një sërë masash që do të thonë shumë, në luftën për këtë vend dhe në emër të të gjithë viktimave të kësaj tragjedie dhe familjeve të tyre”, tha Mickoski.

Pse Aleanca Madhështore përfundoi në Foltore 2
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128