Moska hedh poshtë ultimatumin e Trump: Nuk pranojmë kërcënime! Zëdhënsja e Ministrisë së Jashtme: Furnizimi i Kievit me armë, sinjal për vijimin e masakrës

17 Korrik 2025, 17:22 / BOTA ALFA PRESS

Moska hedh poshtë ultimatumin e Trump: Nuk pranojmë

Ministria e Jashtme e Rusisë i ka drejtuar një paralajmërim të qartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditën e enjte, duke deklaruar se “Rusia nuk pranon kërcënime”, si reagim ndaj deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili i ka dhënë një ultimatum Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump, duke adoptuar një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, njoftoi të hënën se i jep Kremlinit një afat prej 50 ditësh për arritjen e një armëpushimi, në të kundërt paralajmëroi sanksione të reja ndaj Moskës. Ai gjithashtu u zotua për dërgimin e raketave dhe pajisjeve të tjera ushtarake në Ukrainë, duke e forcuar më tej kapacitetin luftarak të Kievit.

Në reagim ndaj këtyre deklaratave, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, kritikoi ashpër vendimin e Trump për të dërguar armë të tjera në Ukrainë, duke e quajtur atë një “sinjal për vazhdimin e masakrës” dhe refuzim të çdo iniciative paqësore.

Zakharova shtoi gjithashtu se bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës janë aktualisht të bllokuara për shkak të qëndrimit të Kievit, që sipas saj “po shmang ose ende nuk ka vendosur për një raund të ri negociatash”.

Situata vjen në një moment delikat për konfliktin në Ukrainë, ndërsa përplasjet diplomatike mes fuqive të mëdha po tensionohen gjithnjë e më shumë.

 

 

Po ndodh...