New York Times zbardh prapaskenat: Elon Musk ndërhyri për të lirimin e gazetares italiane, Cecilia Sala nga Irani

15 Janar 2025, 23:46 / BOTA ALFA PRESS

New York Times zbardh prapaskenat: Elon Musk ndërhyri për të

CEO i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk thuhet se ndërhyri për të “ndihmuar në lirimin” e Cecilia Sala nga Irani duke “kontaktuar” me ambasadorin e Teheranit në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani. Kështu shkruan “New York Times”, duke cituar dy zyrtarë anonimë iranianë.

Sipas gazetës amerikane, miliarderi është kontaktuar nga i dashuri i Cecilia Sala, Daniele Raineri , “nëpërmjet një ndërmjetësi”, pak para vizitës së fundit të papritur dhe të rrufeshme të kryeministres Giorgia Meloni në Mar-a-lago, Florida, për të takuar Donald Trump, presidentin e zgjedhur të SHBA.

Në një intervistë, Raineri shpjegoi për “New York Times” se mendoi të kontaktonte Musk pasi kishte lexuar për “një kanal mes tij dhe diplomatëve iranianë”, dhe në dritën e lidhjes së tij me Donald Trump, i cili e zgjodhi atë për të drejtuar së bashku me Vivek Ramaswamy, Departamentin për Efiçencën e Qeverisë (Doge).

Ndërmjetësi i përmendur në artikull është informatologu Andrea Stroppa, të cilin gazeta e cilëson si “bashkëpunëtor” të Musk, të cilit Raineri i kërkoi t’i vinte në vëmendje miliarderit çështjen e Cecilia Sala.

I pyetur nga gazeta, Stroppa deklaroi se Musk e kishte “shënuar” kërkesën, duke specifikuar megjithatë se nuk ishte në dijeni për përfshirjen e tij të pretenduar në këtë rast.

CEO i Tesla-s tashmë u takua me ambasadoren iraniane në OKB në nëntor, javë para arrestimit të gazetares italiane, në rezidencën e saj në Nju Jork, për të diskutuar tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Dy zyrtarët që folën për “New York Times” saktësuan gjithashtu se Musk do të kishte kontaktuar sërish me ambasadorin “menjëherë pas” vizitës së Melonit në Florida.