E rëndë në Itali, 31-vjeçarja shqiptare humb jetën në sy të tre fëmijëve

22 November 2026, 21:29 / BOTA ALFA PRESS
E rëndë në Itali, 31-vjeçarja shqiptare humb jetën

Një 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Itali, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin në të njëjtën makinë kanë mbetur të plagosur. Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banore e Prata di Pordenone.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e 22 nëntorit, rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone. E reja po shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s, ku do të merrnin pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga karabinierët, automjeti tip “Ford Fiesta” humbi kontrollin në një kthesë, për shkak të lagështirës në rrugë nga reshjet e shiut. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni, e cila u shemb dhe depërtoi në pjesën e përparme të automjetit. Përplasja ishte aq e fortë sa makina përfundoi e përmbysur mbi strukturën prej betoni.

Emanuela mbeti e bllokuar në automjetin e shkatërruar. Zjarrfikësve iu desh të ndërhynin për ta nxjerrë, ndërsa ekipet mjekësore i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje. Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.

 

Në automjet ndodheshin edhe tre të mitur: djali 6-vjeçar i 31-vjeçares, vajza e saj 4-vjeçare dhe një shoqe e tyre 10-vjeçare. Sipas raportimeve, fëmijët arritën të dilnin vetë nga makina pas aksidentit.

Vajza 4-vjeçare u transportua me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim mjekësor. Ata kishin marrë dëmtime dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Gjendja e fëmijëve po ndiqet nga personeli mjekësor.

Në vendngjarje mbërritën ambulanca, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët e kompanisë Sacile. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit, ndërsa po verifikohet edhe nëse të gjithë personat në automjet i kishin vendosur siç duhet rripat e sigurimit.

Lajmi për vdekjen e 31-vjeçares ka tronditur komunitetin e Prata di Pordenone. Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe solidaritetin me të afërmit në këtë moment të vështirë.

“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj, me të cilët jemi pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.

 

Po ndodh...