Nga ChatGPT te “fëmija perfekt”: CEO i OpenAI kërkon të rishkruajë ADN-në e njeriut

16 Nëntor 2025, 22:31 / BOTA ALFA PRESS

Nga ChatGPT te “fëmija perfekt”: CEO i OpenAI kërkon

Në Silicon Valley, djepi i inovacionit teknologjik botëror, po punohet mbi një projekt që mund të hapë një epokë të re dhe të debatueshme në fushën e bioteknologjisë.

Një artikull i Wall Street Journal ka vënë në qendër të vëmendjes Preventive, startup-i nga San Francisko i themeluar në maj dhe i mbështetur nga figura të njohura të sektorit teknologjik, mes tyre Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, dhe Brian Armstrong, CEO i Coinbase.

Qëllimi i deklaruar i kompanisë do të ishte modifikimi gjenetik i embrioneve njerëzore për të parandaluar sëmundjet trashëgimore.

Dyshimet e komunitetit shkencor

Lajmi ka ndezur një debat të ashpër brenda komunitetit shkencor ndërkombëtar. Edhe pse ndërhyrjet gjenetike mbi embrionet njerëzore janë aktualisht të ndaluara si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Europë, kërkimet mbi instrumente të avancuara të analizës gjenetike po përparojnë me shpejtësi. Këto sisteme do të mundësonin analizimin e embrioneve gjatë fazës së fekondimit të asistuar, për të identifikuar ato me “potencial gjenetik” më të lartë se të tjerat.

Sipas disa ekspertëve të pyetur nga gazeta amerikane, bëhet fjalë për një formë seleksionimi gjenetik që shkon përtej parandalimit të thjeshtë mjekësor, duke hapur rrugën për një treg të orientuar drejt “personalizimit” të foshnjave të ardhshme dhe përzgjedhjes së tipareve gjenetike të lidhura me aftësi njohëse apo karakteristika fizike specifike, si gjatësia, struktura e kockave apo ngjyra e syve.

Në vitet e fundit, janë shtuar startup-et që synojnë të kombinojnë bioteknologjinë, inteligjencën artificiale dhe gjenetikën për t’u ofruar prindërve shërbime gjithnjë e më të sofistikuara të analizës gjenetike. Investitorë të rëndësishëm të sektorit teknologjik po vënë bast mbi këtë treg të ri, tërhequr nga perspektiva e një njerëzimi “të përmirësuar” falë përparimeve shkencore.

Ideja për të zgjedhur një fëmijë sipas parametrave gjenetikë nuk është më e kufizuar vetëm në fantashkencë. Rreziku, paralajmërojnë shkencëtarët, është shndërrimi i lindjes në një proces përzgjedhjeje tregtare, ku vetëm ata që kanë mundësi ekonomike do të kenë akses në “cilësi gjenetike” të caktuara.

 

Po ndodh...