Bisedime SHBA-Ukrainë në Miami, Putin: Donbasin do ta marrim me a*më ose negociata

4 Dhjetor 2025, 23:28 / BOTA ALFA PRESS

Bisedime SHBA-Ukrainë në Miami, Putin: Donbasin do ta marrim me

“Rusia do të marrë kontrollin e plotë të të gjithë Donbasit, ose me negociata ose me armë.” Një ditë pas bisedimeve me të dërguarit amerikanë për paqen në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë se nuk ka aspak ndërmend të tërhiqet nga kushti i tij kryesor për përfundimin e luftës.

Në një intervistë për India Today, në nisje të vizitës në Indi, shefi i Kremlinit kërkoi tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni lindor.

“Ose do t’i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase do të duhet të tërhiqen dhe të ndalojnë së vrari njerëz,” deklaroi ai.

Presidenti Putin vlerësoi homologun amerikan Donald Trump, që, sipas tij, është i sinqertë në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje, por shtoi se nuk është një mision i lehtë. Deklaratat e Putinit vijnë pak pasi presidenti amerikan tha se lideri rus ishte realisht i interesuar t’i jepte fund luftës, sipas përshtypjeve të të dërguarve të tij Steve Wittkof dhe Jared Kushner gjatë bisedimeve në Moskë. Trump i cilësoi bisedimet e së martës mjaft të mira, edhe pse takimi 5-orësh me Putinin nuk prodhoi asnjë kompromis.

“Nuk e di çfarë po bën Kremlini. Mund t’ju them se ata patën një takim mjaft të mirë me Presidentin Putin. Do ta zbulojmë. Është një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë. Nëse do të isha president, kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë. Është një gjë e tmerrshme. Por gjithsesi, ata patën një takim shumë të mirë me Presidentin Putin. Do të shohim çfarë do të ndodhë,” tha Trump.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se këtë të enjte Wittkof do të takohet me delegacionin ukrainas të udhëhequr nga këshilltari i lartë Rustem Umerov në Miami. Më herët gjatë së mërkurës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se aktualisht bota po ndjen se ka një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës, por se negociatat duhet të mbështeten nga presioni i shtuar ndaj Rusisë.

Ndërkohë, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybhia tha se Rusia duhet t’i japë fund gjakderdhjes dhe akuzoi Putinin se po i humb kot kohën botës.

 

Po ndodh...