"PD tren me 2 lokomotiva?"/ Keltis Kruja: Jemi në udhëkryq, kryesia e partisë e fryrë

4 Dhjetor 2025, 22:14 / POLITIKË ALFA PRESS

"PD tren me 2 lokomotiva?"/ Keltis Kruja: Jemi në udhëkryq,

Metafora e një “treni me dy lokomotiva” u përdor në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli, ku anëtari i Kryesisë së PD-së, Keltis Kruja, komentoi krizën e brendshme të demokratëve dhe dilemat e fundit që kanë shoqëruar vendimmarrjen e partisë. I pyetur nëse PD po tërhiqet në drejtime të ndryshme nga grupime të brendshme, Kruja e mohoi idenë e dy lokomotivave, por pranoi se partia ndodhet në një “udhëkryq të vazhdueshëm”, ku shpesh nis procese që më pas i braktis.

Ai theksoi se rasti i përzgjedhjes së kandidaturave për Avokatin e Popullit nxori qartë në pah mungesën e koherencës dhe seriozitetit të PD, duke shtuar se tërheqjet e firmave të deputetëve krijuan konfuzion dhe keqkuptime tek publiku. Sipas tij, një prej problemeve thelbësore është se “kryesia është fryrë”, çka e ka dobësuar rolin e saj si organ vendimmarrës dhe ka shuar idenë e mbledhjeve konfidenciale.

Kruja u ndal edhe te foltoret e fundit brenda partisë, duke deklaruar se nuk sheh teza politike në këto lëvizje, por vetëm aktivitete pa qartësi strategjike. Ai tha se PD duhet të flasë me një gjuhë të unifikuar dhe të mos krijojë përshtypjen e një partie që endet mes pasigurive dhe mesazheve kontradiktore.

Sipas Krujës, sfida kryesore e PD mbetet rikthimi te organizimi serioz, formulimi i qëllimeve të qarta politike dhe dalja nga gjendja e “udhëkryqit” që po e mban partinë të bllokuar në vendnumëro.

 

Po ndodh...