Përplasja për kontrollin e OpenAI, Musk humb betejën ndaj Altman

Elon Musk ka humbur betejën gjyqësore kundër Sam Altman lidhur me të ardhmen dhe transformimin e OpenAI. Juria rrëzoi padinë e Musk, duke argumentuar se veprimi ligjor ishte ngritur shumë vonë dhe se akuzat kishin kaluar afatet ligjore të parashkrimit.
Musk kishte akuzuar Altman se kishte tradhtuar misionin fillestar të OpenAI, i cili sipas tij ishte krijuar për të zhvilluar inteligjencën artificiale në shërbim të njerëzimit dhe jo për përfitime komerciale.
Nga ana tjetër, Altman pretendoi se Musk ishte larguar nga projekti vetëm pasi nuk arriti të merrte kontrollin e kompanisë.
Pas 11 ditësh dëshmi dhe përballjesh në gjykatë, erdhi edhe vendimi përfundimtar. Juria prej nëntë anëtarësh shpalli të pafajshëm Altman dhe OpenAI, ndërsa gjyqtarja federale amerikane Yvonne Gonzalez Rogers konfirmoi vendimin, duke lënë të pandryshuar strukturën aktuale të kompanisë.
Padia daton që nga viti 2024, kur Musk, një nga bashkëthemeluesit e OpenAI në vitin 2015, hodhi në gjyq drejtuesit e kompanisë, duke pretenduar se kishin shkelur premtimin për ta mbajtur laboratorin e inteligjencës artificiale si organizatë jofitimprurëse. Musk u largua nga bordi drejtues i OpenAI në vitin 2018.
Në proces ishte përfshirë edhe Microsoft, pasi Musk akuzonte gjigantin e teknologjisë se kishte ndihmuar OpenAI në transformimin e saj drejt modelit fitimprurës. Microsoft kishte investuar në OpenAI që në vitin 2019.
Ekipi ligjor i Musk kërkonte që OpenAI dhe Microsoft të rikthenin deri në 134 miliardë dollarë “fitime të paligjshme”, si edhe largimin e Sam Altman dhe presidentit të OpenAI, Greg Brockman, nga drejtimi i kompanisë. Gjithashtu, Musk kërkonte anulimin e ristrukturimit të vitit 2025, i cili i hapi rrugën zgjerimit të sektorit fitimprurës të OpenAI.
Gjatë dëshmisë së tij, Musk deklaroi se kishte dhuruar rreth 38 milionë dollarë për OpenAI me bindjen se teknologjia do të zhvillohej “në dobi të njerëzimit”, dhe jo për të pasuruar individë të caktuar.
Ndërkohë, avokatët e OpenAI argumentuan se donacionet e Musk nuk kishin asnjë kusht ligjor dhe se ristrukturimi i kompanisë ishte i domosdoshëm për të konkurruar në garën e kushtueshme të inteligjencës artificiale ndaj Google DeepMind.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128