Polonia frikë nga Rusia, synon të ndërtojë një “mur” mbrojtës kundër dronëve me vlerë 2 miliardë euro

Polonia planifikon fortifikime kundër dronëve rusë në kufijtë e saj lindorë brenda dy viteve. Kjo lëvizje vjen pas ndërhyrjeve masive të mjeteve ajrore luftarake ruse.
Në një intervistë për “The Guardian’, zëvendës kryeministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk tha se “Presim të kemi aftësitë e para të sistemit përafërsisht brenda gjashtë muajsh, ndoshta edhe më shpejt. Dhe sistemi i plotë do të zgjasë 24 muaj për t’u përfunduar”.
Ai bëri me dije se sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të integrohen në një linjë më të vjetër mbrojtjeje të ndërtuar një dekadë më parë. Sipas tij, kjo do të përfshijë shtresa të ndryshme mbrojtjeje, si mitralozë, topa, raketa dhe sisteme bllokimi të dronëve.
“Disa nga këto përdoren vetëm në kushte ekstreme ose lufte. Për shembull, këto mitralozë shumë-tytësh janë të vështira për t’u përdorur në kohë paqeje, sepse çdo gjë që ngrihet duhet të bjerë poshtë”, u shpreh zyrtari.
Tomczyk tha se projekti do të kushtojë më shumë se 2 miliardë euro dhe do të financohet kryesisht me fonde evropiane në kuadër të programit të kredisë për mbrojtjen SAFE (Veprimi i Sigurisë për Evropën), si dhe disa kontribute për buxhetin e shtetit.
Veprimet e Polonisë vijnë pasi shumë dronë të dyshuar rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore polake në shtator, një incident që çoi në mbylljen e aeroporteve, ngritjen në ajër të avionëve luftarakë dhe dëmtimin e ndërtesave në tokë ndërsa dronët u rrëzuan. Ministri i jashtëm, Radosłaë Sikorski, tha në atë kohë se sulmet, të cilat përfshinin dronë që nuk mbanin municion, ishin një përpjekje nga Rusia “për të na testuar pa filluar një luftë”.
Përveç murit kundër dronëve, Polonia po kryen gjithashtu fortifikime përgjatë kufijve të saj tokësorë me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit, e njohur si Mburoja Lindore dhe që synon parandalimin e një pushtimi të ardhshëm rus.
Tomczyk tha gjithashtu se qendra të posaçme logjistike do të ndërtohen në çdo komunë kufitare, ku do të ruhen pajisjet për të ndihmuar në bllokimin e kufirit, të gatshme për t’u vendosur brenda pak orësh.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
