BE përshëndet arrestimin e Berishës

31 Tetor 2024, 20:30 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

BE përshëndet arrestimin e Berishës
Progres-raporti i BE për vitin 2024, jo vetëm që nuk përmban shqetësime për burgosje politike siç pretendon vajmedet opozita e ballkonit, por përkundrazi, përgëzon SPAK dhe e inkurajon të vijojë punën me hetime ndaj përgjegjësve politikë dhe funksionarëve të lartë, si dhe të shtojë konfiskimet e pasurive të vëna me korrupsion.

Vajmedet opozita e ballkonit u lodh e shkoi deri në Strasburg për të sensibilizuar eurodeputetët e PE për burgosjet politike të regjimit të Edi Ramës në Tiranë. Vajmedet opozita nuk e kupton se në këtë formë ajo thjesht fyen institucionet europiane, pasi nëse është e nevojshme që ato të sensibilizohen prej saj, i bie që misioni i BE në Tiranë është ose i paaftë, ose i korruptuar. Pretendimet i ngritën në Strasburg, përgjigjia u erdhi në Tiranë. E qartë, e drejtpërdrejtë, zyrtare.

Karagjozllëku i vajmedet opozitës nuk ka limite. Pasi i ulën brekët deri në fund të këmbëve para Ramës, me votimin amnistisë penale ku u liruan të korruptuarit e rilindjes, por jo protestuesit opozitarë, përpiqen të bëjnë teatër bajat në kuvend për t'u dukur si opozitarë të fortë. Sali Berisha i detyron të hedhin vallen e tij. Vallen e një të dëshpëruari që i ka shpallur luftë të gjithë botës së qytetëruar. Luftë me SPAK, luftë me SHBA, luftë me BE. Ah, duhet nënvizuar se ende nuk i ka shpallur luftë papës në Vatikan.

Berisha nuk ka ç'të humbë. Vetë është në burg për korrupsion, por rrezikon të burgosen familjarisht. Edhe pse apriori duket ndryshe, edhe deputetët dumbabistë të Sali Berishës nuk kanë ç'të humbin. Nëse ndjekin Berishën në orvatje e gjoja mosbindjes civile me bllokim rrugësh, jo vetëm armiqësohen me perëndimorët, por edhe iu hapen procese penale në SPAK. Disa prej tyre janë paditur tashmë. Por problemi i tyre është se nëse nuk ndjekin Berishën, janë gjithsesi jashtë politikës. Mbushja e listave me njerëz që të vetmen vlerë kanë servilosjen ndaj liderit na ka prodhuar këta vajmedet deputetë që nuk kanë pikë peshe politike dhe pikë personaliteti. Ndaj janë të detyruar të binden. Shpresojnë të çlirohen pasi të kenë fituar mandatin. Mirëpo Berisha e di këtë. Ndaj i shtrydh e i poshtëron në maksimum. Ai qartazi po ecën me parimin e një mbreti francez, "après moi le déluge" (pas meje qameti).

Bie në sy Jorida Tabaku, e cila u përpoq sa mundi të qëndronte mbi palët. Madje gënjeu dhe amerikanët në vizitën në Uashington, ku pas premtimit se nuk do të shkonte poshtë ballkonit u shfaq në një foto të ngrohtë me Kim e Escobar, ndryshe nga Gaz Bardhi që sapo u kthye nga Uashingtoni, shkoi poshtë ballkonit. Mirëpo kur je mësuar të jesh në parlament qyl, është problem. Po afron koha e rinovimit të mandateve dhe Jorida duhet të bënte zgjedhjen e saj. Pra mes SHBA dhe mandatit, zgjodhi mandatin (nëse e merr dmth).

Njerëzit pa profil politik që popullojnë grupin parlamentar të PD-së besojnë se shansi i vetëm i tyre për të marrë një mandat është Berisha. Luajnë teatër të neveritshëm para të gjithë shqiptarëve për atë të shkretë mandat. Falë opozitës së egër të Enkelejd Alibeajt është dyfishuar paga e deputetit dhe kjo e bën mandatin shumë më atraktiv. Problemi është se shqiptarët nuk janë budallenj. Ndaj janë katandisur protestat e tyre si protestat e shoqatave lokale. Demokratët shohin se si këta votuan për të liruar të korruptuarit socialistë dhe lanë në burg protestuesit e PD. Shqiptarët e shohin se si kjo vajmedet opozitë po luan vetëm për prapanicën e liderit. Ndaj në këto zgjedhje kjo vajmedet opozitë do e shkojë drejt katastrofës. Shumica prej deputetëve dumbabistë do të mbeten me gisht në gojë dhe me një barrë të rëndë turpi mbi shpinë. Tek e fundit, aq meritojnë.

Ps: në këtë shkrim nuk janë përfshirë ata deputetë dumbabistë që Berisha i mban peng me dosje. Me ta do të merremi njëherë tjetër.

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128