Ekipi i ri i Bashës, qëndrestarët e 14 majit

11 Shtator 2023, 19:32 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Ekipi i ri i Bashës, qëndrestarët e 14 majit

Me ndonjë përjashtim të vogël, apo ndonjë emër surprizues, ekipi i ri i Bashës i dalë nga këshilli kombëtar të shtunën e kaluar, ka një tipar të përbashkët. Janë njerëz të cilët në 14 maj, në zgjedhjet lokale, ishin personat që punuan dhe luftuan që Partia Demokratike të mos asimilohej nga grupimi i Berishistëve. Dhe në këtë drejtim ja dolën. Nëse nuk do të ishte për ta, sot Partia Demokratike nuk do të ekzistonte si e tillë dhe këshilli kombëtar i mbledhur të shtunën nuk do të ishte i mundur. Për këtë arsye kanë një meritë të padiskutueshme.

Duke filluar që nga sekretari i ri i përgjithshëm, Enkeled Alibeaj, apo një nga nën kryetarët Roland Bejko, dy persona të cilët i vunë fytyrën fushatës së 14 majit me qëndrueshmëri dhe besueshmëri se Partia Demokratike duhet të kishte një të ardhme dhe duhet ta ndërtonte atë pavarësisht vështirësive që kishte hasur në vitin e fundit. Jo vetëm këta të dy, por edhe shumë emra të tjerë që bëjnë pjesë në kupolën e re të PD-së , si për shembull Fitim Zekthi, më i votuari në kryesinë e re, janë njerëz të cilët nuk kanë shfaqur në një vit e gjysmë as më të voglën mëdyshje se PD duhej të shkëputej nga breshnizmi dhe emri i tij. Këtë gjë e kanë shfaqur në media, në debate apo gjatë fushatës elektorale.

Sepse të kuptohemi ndarja që ekziston sot në të djathtën shqiptare është vetëm berishiste dhe jo berishiste. Kjo është fraktura e vërtetë politike që ka ndodhur që nga 9 shtatori 2021 e deri më sot. Të gjitha të tjerat janë ndarje mekanike apo bashkime interesash, që nuk kanë në thelb asnjë parim apo vizion politik.

Pa betejën e tyre, sot Partia Demokratike do të kishte rënë e gjitha në duart e Sali Berishës, jo vetëm ligjërisht, por edhe politikisht.

Dhe këto qëndrime nuk i kanë patur sepse prisnin Lulzim Bashën, apo në emër të rikthimit të tij. Këto qëndrime dhe këtë qartësi politike e kanë shfaqur përgjatë një viti e gjysmë edhe kur Basha nuk e drejtonte atë parti dhe drejtohej nga Alibeaj, edhe pse rikthimi i Bashës nuk dihej nëse do të ndodhte apo jo, ashtu siç vajtën punët në atë parti.

Sepse ndarja nga emri i Berishës, dhe krijimi i të djathtës që tejkalon emrin e tij ka qenë një sfidë konstante e tyre. Ndarja me ermin e Berishës nuk është një ndarje mekanike e Partisë Demokratike sot. Është një ndarje parimesh dhe vizionesh, si për shembull aleanca me Shtetet e Bashkuara, apo mbështetja ndaj SPAK të cilin Berisha e sulmon çdo ditë . Në këtë kuptim kemi të bëjmë me dy grupime të cilat ndahen politikisht dhe jo personalisht.

Nga ata tjetër të gjithë ata që përgjatë kësaj kohë kanë qenë të dyzuar, por jo politikisht apo për parime, por thjesht për interesa politike, sot janë në negociatë me Sali Berishën. Negociatë e cila ka filluar që përpara 14 majit. Fushata elektorale e zgjedhjeve lokale e tregoi qartë se kush kishte ndarje politike me emrin e Berishës dhe kush ishte ne negociata me të me idenë se kishin në dorë një mall të çmuar, që ishte logoja e Partisë Demokratike. Kane qëndruar aty në mes, duke parë se nga është shumica dhe të hidheshin në krahët e saj për karrierën e tyre.

Prandaj bashkimi Bardhi-Berisha sot, nuk ka asnjë lidhje me vizionin politik, por është një bashkim mekanik interesash, gjë e cila nuk asnjë domethënie politike për të djathtën shqiptare.

Të gjithë janë në të drejtën e tyre të ndjekin karrierën politike aty ku ata mendojnë se kanë më shumë mundësi. Por historia na ka mësuar se karrierë dhe të ardhme politike kanë vetëm ata që kanë qëndrime të qarta dhe bindje politike që i diferencojnë nga të tjerët. Të gjithë ata që qëndrojnë në mes, duke pritur se nga do të shkojë shumica, nuk janë asgjë tjetër veçse kalimtar në politikën e rëndësishme. Sepse politika, herët apo vonë, shpërblen gjithmonë ata që kane bindje politike te qarta. /Liberale.al

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128