Çfarë do të ndodhë pasi burgu VIP i Reçit të njoftojë: Nuk ka më vende!

20 Dhjetor 2022, 15:20 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Çfarë do të ndodhë pasi burgu VIP i Reçit të

Nëse në Shqipëri vjen dikush i cili prej shumë kohësh, (të themi 1 vit), ka qenë komplet jashtë realitetit politik dhe mediatik që zhvillohet këtu, që nuk ka dëgjuar analistët dhe politikanët në TV-të tona të shumta dhe nuk ka lexuar lajme në oqeanin e portaleve, ai do të gjendej përball kësaj situate:

E gjithë klasa e vjetër politike, nga mëngjesi në darkë, merret me drejtësinë e re dhe veçanërisht me SPAK. Politikanët janë kthyer në gazetarë dhe analistë të kronikës së zezë, kurse shumica e analistëve mediatikë në komisarë të kësaj klase politike.

Nuk bëhet më politikë në kuptimin klasik, nuk flitet për vizione apo alternativa për ndryshimin e këtij ngërçi ku është futur Shqipëria.

Një zgjedhje rutinë që ndodh njëherë në 3 vite për kreun e SPAK dhe në skenën politike dhe mediatike, ra tërmet. Askush nuk flet për reforma zgjedhore, ekonomike, kushtetuese. Për vetting në politikë dhe verifikim të çdo pasurie që dyshohet se rrjedh nga puna në shtet, apo edhe në medie.

Mirë janë kështu si janë, ashtu siç kanë qenë gjatë këtyre 32 viteve që kanë sunduar këtë vend. Halli duket qartë që është diku tjetër, te e kaluara që do tu përcaktojë fatin në të ardhmen e afërt. Po hidhet  pasuri e madhe dhe po harxhohet energji e jashtëzakonshme, për të blerë këtë të kaluar. Po a blihet e kaluara që ke gatuar vetë?!

Kjo është arsyeja, se përse politika është kthyer në kronikë dhe pse gjithë ky hall shpërthyes i atyre që janë të diferencuar nga pikëpamja ekonomike prej shumicës së shqiptarëve. Çfarë i lidh ata me hetimet, perspektivën dhe frikën që përhap Gjykata e Posaçme?!

Përgjigjja është e thjeshtë; korrupsioni 32- vjeçarë dhe lidhja me krimin që është kthyer në “biznes” dhe çfarë do të ndodh me pasuritë e vjedhura, hetimin dhe ndëshkimin.

Nëse sot në Shqipëri ka një moment historik, një luftë reale ajo është me korrupsionin. Korrupsioni është sot qeveri, pushtet, politikë, opozitë, medie...dhe synon që të jetë sërish edhe Drejtësi. Të gjithë Rama, Berisha, Metaj dhe një ushtri e tërë mediatike pas tyre, merren me “fatin” e tij. Ndryshimi është se i pari preferon që shqiptarit të besojnë se ai është kryer vetëm përpara vitit 2013, kurse dy të tjerët e shohin vetëm gjatë kësaj periudhe.

Të gjithë janë në garë akuzash dhe kundër-akuzash. Se kush ka vjedhur më shumë dhe kush më pak. Të gjithë quajnë diçka madhore radhën për tu paraqitur në SPAK, kush më parë dhe kush më vonë!

Dhe të gjithë bashkë sulmojnë, deligjimitojnë dhe tentojnë të kapin e blejnë ç`të munden nga drejtësia e re. Vetëm te grupi i Partisë Demokratike zyrtare, duken se janë të qetë në këtë drejtim. As kanë punë me SPAK si treshja më lartë dhe as përfliten, se mund të kenë në të ardhmen.

Kjo duket  se është edhe arsyeja se pse Perëndimi, dita ditës, po i trajton si aleatë të vetëm brenda klasës aktuale politike shqiptare dhe pret njëkohësisht që në fund të “revolucionit penal” që po ndodh, të shpërthejnë edhe faktorë e forca të tjera që nuk kanë mision korrupsionin.

Janë “pakicë” por fakti është se shndrijnë si ai diamanti në mes të një blloku të madh të qymyri. Kjo nuk do të thotë se janë ende në gjendje që të rrëzojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën, por të paktën me një kartë të fortë morale dhe properëndimore, në këtë kënetë 32 vjeçare, duken në anën e duhur të historisë që i takon Shqipërisë.

Kështu në fakt, me zemër dhe shpirt janë 90% e shqiptarëve, pavarësisht se ingranazhi 32- vjeçarë i korrupsionit politik dhe ekonomik nuk ju ka dhënë alternativë tjetër përveç rreshtimin në forcat politike të treshes, bojkotimit të votës ose ikjes fare nga ata dhe ky vend që sundojnë.

Ky 90% i robëruar në pamje të parë nga kjo klasë politike,  por i lirë dhe i etur për ndryshimin historik në mendje dhe shpirt, është ajo forcë dhe ajo energji që pritet të shpërthejë jo më me “votë”, as pas “reflektimit” të Rama- Berisha- Metaj.

Kjo do të ndodhë vetëm pasi sundimtarëve të Tranzicionit tu sekuestrohen pasuritë e grabitura dhe burgu “VIP” i Reçit i ngritur me paratë e Perëndimit enkas për korrupsioni 32- vjeçar, të nxjerrë njoftimin: Jemi të mbipopulluar, nuk ka më vende!/Alfapress.al      

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128