Çfarë duan sot nga Basha, ish-miqtë e Lulit?!

18 Qershor 2023, 19:50 / EDITORIAL NGA ALBAN DACI

Çfarë duan sot nga Basha, ish-miqtë e Lulit?!

Hyri i ri në politikë. Në fillim e përgëzuan të gjithë e sigurisht një pjesë e mirë, e përdorën imazhin e tij si prurje të re për të ardhur PD në pushtet në 2005. Në atë kohë Basha ishte mik i mirë për ta. U bë ministër i jashtëm, ministër i Brendshëm, kryetar Bashkie, e Basha ishte miku i mirë, sepse me fitoret e tij këta ish miqtë punësuan familjarët, morën pushtet e ndonjë herë, morën edhe ndonjë gjë që nuk meritonin.

Berisha dha dorëheqjen,y e Basha u bo kryetar. Të gjithë ykërkuan t'i afrohen më shumë dhe e konsideruan risi, e shumë prej tyre morën nga dy mandate edhe në mënyrë të pamerituar, sepse i bënin fresk Bashës duke e mos e lënë vetëm as të shtunave e as të dielave. Ishte një sfidë e madhe ta gjeje Bashën vetëm në zyrën e kryetarit, qoftë edhe vetëm për ta përshëndetur, sepse për ambiciet e tjera në PD ishte e kotë, e kishin ndarë me kohë tortën dhe i kishin zënë të gjitha vendet, këta ish miqtë e tij. Madje, aq shumë e kishin uzurpuar PD sa kishin vendosur edhe familjarët e fëmijët. Shyqyr që nuk jepte pensione PD se do të kishin sjellë edhe prindërit e moshuar, që të merrnin ndonjë pension ekstra.

Ndodhi kriza në PD dhe Basha mori një vendim për të bërë hap mbrapa, për të mos thelluar përçarjen e PD. Këta ish miqtë e tij e kritikuan fillimisht, sepse u gjendën vetëm e kishin paranojën se do i gllabëronte dallga e "Foltores". Këta ish miqtë e kritikuan pse u largua. Vendosi të rikthehet dhe tani prapë po e kritikojnë pse po e bën një gjë të tillë, e kjo me siguri se u bënë pjesë e heshtur e "Foltores" dhe i frikësohen "hakmarrjes" së rikthimit të Bashës.

Ishte bashkë- kryetar me Berishën dhe e kritikuan për një realitet të tillë. Tani do të rikthehet i çliruar dhe lider si zot i vetes dhe i demokratëve, dhe po e kritikojnë përsëri.

Bëri listat e mbyllura dhe i prezantoi pak para mesnate në 2017 dhe disa që u bënë deputet falë këtyre listave, heshtën e nuk thanë asgjë. Ndërsa ata që mbeten jashtë e kritikuan. Tani vjen me tezën e listave të hapura e pikërisht ish miqtë e tij, produkt i lidershipit të tij që u bënë deputet për dy mandate pa garë, po e kritikojnë, e sigurisht kanë të drejtë, se halli i tyre është madh, duan deputet me çdo kusht, sërisht pa garë e pa asgjë.

Bëri luftën për dekriminalizimin e parlamentit dhe për reformën në drejtësi dhe miqtë e tij e quajtën hero. Tani vjen me tezën e vetingut në politik e pikërisht miqtë e tij po thonë se nuk është i besuar. Kanë të drejtë se në dy mandaturat, helbete e kanë bërë ndonjë mëkat dhe e kanë të sigurt se nuk e kalojnë procesin e pastërtisë.

E zgjodhën menjëherë pas zgjedhjeve të 2021, me një anëtar një votë, duke e cilësuar një lider të dobishëm për PD. Në atë kohë për miqtë e Bashës procesi ishte i mirë, i suksesshëm dhe i duhuri. Tani Basha kërkon të rikthehet në garën për kryetarë me të njëjtin proces të certifikuar, por për ish miqtë e tij, ajo është "e sigurt" se do të jetë farsë.

Dëgjoj nga këta ish miqtë e Bashës, disa deputet, disa anëtarë kryesie e disa të tjerë edhe të vetë deklaruar intelektual, se Basha nuk është zgjidhje, por nuk kam dëgjuar asnjërin nga këta të thotë se e sfidoj unë Bashën. Kështu, këta duan që PD të mbetet pa lider ose ta gjejnë demokratët në internet, ose me call centër. Pra këta thonë PD më mirë të mbetet edhe nja 2 vite të tjera pa kryetar, e vetëm Basha të mos bëhet!

Nga gjithë ky debat, të gjitha i kam kuptuar, por çfarë duan nga Basha se kam kuptuar. Këta duan që Basha të mos jetë Bashë, të largohet sepse ju prish punë këtyre e të mos kërkoj në mënyrë legjitime të garijë që jetë kryetar i një PD që vazhdon të jetë partia e vetme në Ballkan pa kryetar!