Kriza nuk është e PD-së por e sistemit politik; platforma e Bashës është zgjidhja e duhur për kapërcimin e saj…

27 Gusht 2023, 12:13 / EDITORIAL NGA GENTIAN GABA

Kriza nuk është e PD-së por e sistemit politik; platforma e
Prej shpalljes non grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike hyri në një spirale të rrezikshme, e cila kërcënon ende sot opozitarizmin në Shqipëri.

Pengimi i opozitës për shkak të axhendës personale të ish-kryeministrit, ka çakorduar zemrekun e oponencës ndaj qeverisë të korruptuar të Edi Ramës, duke shpalosur dimensionin real të krizës politike në të cilën ndodhet vendi.

Pavarësisht se sa në themel mund t’i kenë hyrë analizat, debatet, studimet, periudhës në të cilën Foltorja ngriti kauzën e saj kundër Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, adresimi i zhvillimeve në kampin blu si një krizë të izoluar, e cila i takon vetëm kësaj force politike, është jo vetëm i gabuar, por hileqar, sepse e vërteta është se kjo që po kalon PD-ja nuk është një krizë e saj por e një sistemi politik jo përfaqësues, të korruptuar dhe moralisht të deformuar, i cili nuk është në shërbim të qytetarëve, por të farkëtuesve të tij.

Lufta që Berisha i ka shpallur partisë, që i dha gjithçka në këto 33 vite, vetëm sepse ajo nuk u vendos si tank mbi urën e Lanës për të mbrojtur ish kreun e saj nga rreziku anglo-amerikan, merr kuptim vetëm brenda sistemit që ai ka ndërtuar bashkë me Edi Ramën më 21 prill të vitit 2008.

Një sistem në të cilin njerëzit e veshur me pushtet bëhen “gate keepers”, -autoriteti që kontrollon në burim qarkullimin e flukseve politike sipas orekseve personale, në funksion të qëllimeve të tyre dhe të atyre që investojnë kapitale të mëdha në mirëmbajtjen e kësaj balance interesash që nuk kanë lidhje me të mirën publike, por me të mirat private që gjenerojnë për demiurgët e sistemit.

E nëse nga ana tjetër e këtij ekuilibri të mbrapshtë qëndron Edi Rama, i cili në asnjë moment nuk ka shfaqur shqetësim apo pendesë për paktin me Berishën, për rrokopujën e parlamentarizmit, çekuilibrimin e pushteteve, dhënien e një roli dekorativ Presidentit të Republikës, për autokracinë që gjeneron një sistem në të cilin “fituesi”, pavarësisht mjeteve me të cilat “fiton” merr gjithçka, po aq stoik në mbrojtjen e asaj marrëveshje është edhe kreu i Foltores.

Heshtja e Berishës ndaj pasojave negative që ky sistem ka prodhuar për demokracinë shqiptare, është tregues se ai është po aq i kënaqur sa Rama me gjendjen e gjërave në vendin tonë, pasi një sfidant i vërtetë, një politikan që kërkon ndryshimin dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza politike në të cilën ndodhet, nuk mund të kufizohet në anatemimin e “kundërshtarit”, pra në lojën e vjetër të akuzave dhe kundër-akuzave që kanë për qëllim mbajtjen e status quo-së duke polarizuar shoqërinë, por vetëm duke vendosur gishtin tek plaga e vërtetë që kërkon shërim.

Kësodore, qyshkur Berisha dhe Rama shtrënguan duart për ta kthyer Shqipërinë nga një republikë parlamentare në një republikë kryeministrore, në të cilën ligjvënësit janë noterë të vullnetit të të parit të qeverisë, dy nga politikanët më jetëgjatë të tranzicionit, vijojnë të jenë të lumtur me ujdinë e tyre, pasi pa marrëveshjen Berisha-Rama, foltorja nuk do të ekzistonte. Ishte frika e një pjese të deputetëve nga e ardhmja e tyre, jo në raport me elektoratin, por me atë që mund të kishte një zë në kapitull në pozicionin e tyre në listat zgjedhore, që i futi në një spirale heshtjeje, të paaftë, për të treguar udhëheqësi kur duhej të pozicionoheshin për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike në raport me partnerin strategjik të kombit shqiptar.

Pa marrëveshjen Berisha-Rama, skandalet e njëpasnjëshme që po godasin qeverinë, nuk do t’i bënin gjithmonë e më të heshtur deputetët e kampit të majtë përballë korrupsionit të përhapur në çdo ind të pushtetit që ata përfaqësojnë, por frika nga kryeministri i gjithëpushtetshëm, që ka në dorë fatet e tyre e që me një laps mund t’i zhysë në honet më të errëta të harresës, i bën ata qënie jo politike, pa dinjitetin dhe karrakterin e nevojshëm për të ngritur krye ndaj asaj që po përjetojnë si parti dhe forcë qeverisëse me një ish zëvendës kryeministër në arrati, ministra, deputetë e kryebashkiakë në burg.

E pra, kjo është kriza me të cilën po bashkëjetojmë prej vitit 2008, që nuk është kriza e një partie, por e një sistemi që nuk përfaqëson më asgjë përveç interesave të themeluesve të tij, të cilët janë bërë barrikada mbrojtëse të krijesës së tyre, begatinë e të cilës e shijojnë si nga maja e pushtetit, ashtu edhe nga lartësia 64 katëshe e kullës së “opozitës”. Një dëshmi e freskët e kujdesit me të cilin vajisen ingranzhet e një makinerie që gjeneron garanci për ata që turfullojnë në publik për të respektuar partiturën e shfaqjes, ndërsa në privat i jepen tangos për të cilën dihet botërisht që mjaftojnë dy veta.

Nga zhbërja e kësaj marrëveshjeje mund të nisë edhe rimëkëmbja e demokracisë shqiptare. Një prioritet që është pjesë e axhendës e kreut të Partisë Demokratike, i cili po artikulon përherë e më qartë nevojën për ndryshime kushtetuese. Propozimet e bëra pas rikthimit të tij në skenën politike, si listat 100% të hapura, restaurimi i kompetencave të Presidentit të Republikës, pastrimi i politikës përmes vetting-ut, etj., të cilave Zëri i Amerikës i dha emërtimin frymëzues “Platforma për ndryshim”, përbëjnë një hap pozitiv për çeljen e një debati publik sa më të gjerë, i cili duhet të prodhojë energjinë e nevojshme shoqërore për të ndërhyrë me largpamësi në Kushtetutën tonë, për të kapëcyer krizën politike të krijuar nga marrëveshja Berisha-Rama.

Mësimet e nxjerra gjatë këtyre viteve, veçanërisht dy të fundit, kur Basha u përball me forcën reaguese të një sistemi që ngriti kundër tij një stuhi perfekte, në të cilën kundërshtarët e tij politik, oligarkët dhe mediat që gjallojnë me thërrimet e tyre u angazhuan për ta vrarë politikisht me të gjitha mjetet e arsenalit të tyre të shtrenjtë, janë një sprovë e vlefshme për kreun e Partisë Demokratike dhe dëshmi e vendosmërisë së tij për t’u përballur me thelbin e problemit.

Ndonëse rruga përpara është shumë e vështirë, hapi pas, që bëri vitin e shkuar u dha mundësi shqiptarëve të shohin sesi sulmet e orkestruara kundër tij, ishin në të vërtetë sulme për të penguar ndryshimin që Basha ndërmori brenda partisë që ai drejton, e që patjetër kërcënonte dhe kërcënon ekuilibrat e vendosur në vitin 2008.

Por, siç ndodh shpesh herë në jetën e secilit prej nesh, pika e fortë kthehet në një pikë të dobët. Ndaj edhe reagimi i koordinuar në heshtje nga Berisha dhe Rama, për të mbrojtur produktin e tyre 15 vjeçar, që po kërcënohej nga Basha me bekimin e Shteteve të Bashkuara, i vendos etërit themelues të kushtetutës së 21 prillit, në një dikotomi me sfidantin e tyre. Duke ravijëzuar në bashkimin e tyre një ndarje të qartë mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes të resë dhe të vjetrës, mes status quo-së dhe ndryshimit.

Një përballje që vendos në një anë të ringut ish-presidentë, ish-kryeministra dhe kryeministrin aktual, që mbajnë përgjegjësi për gjendjen aktuale, ndërsa nga ana tjetër sfidantin e tyre të ri, me vragat e freskëta të betejës së fundit, nga e cila sigurisht ka parë qartë se cilët janë kundërshtarët realë dhe çfarë kërkohet nga ai për të mundësuar një ndryshim të vërtetë.

Në gusht të vitit 2021, para pezullimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, kur të gjithë ishin bashkë dhe të lumtur, Basha ka deklaruar: “Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale.”
Është koha që ky angazhim të marrë jetë!

Po ndodh...