Kryeministri i “Shuplakës” është makthi i vërtetë i Edi Ramës!

1 Korrik 2023, 15:03 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Kryeministri i “Shuplakës” është makthi i

Gjatë një interviste për gazetaren, Merita Haklaj, në televizionin A2CNN  këtë të premte, një nga “senatorët” e Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, duke analizuar situatën politike në Shqipëri dhe brenda mazhorancës deklaroj hapur se, Edi Rama, ndihet shumë i shqetësuar. Kur Xhafaj thotë “i shqetësuar”, duhet ta kuptojmë “i alarmuar”. Nëse këtë do thoshte Taulant Balla për shembull, atëherë mund ta “përkthenim”; Rama ndihet i mbaruar!

Për këtë konstatim, përveç të tjerave, deputeti socialist ju referua edhe fjalimit të kryeministrit me rastin e 32 vjetorit të PS, ku në gjendje alarmi paralajmëroj se në zgjedhjet e vitit 2025, mund të marrin një shuplakë të pashmangshme.

Xhafaj në këtë intervistë është socialisti i parë me ndikim i cili u dorëzua te tezat “e vjetra”, por të rihedhura fuqishëm në “treg” së fundmi nga Lulzim Basha. Ai pranoj se është domosdoshmëri ndryshimi i sistemit elektoral aktual, i cili u instalua nga Rama&Berisha në vitin 2008, duke ndryshuar kushtetutën në mënyrën më private dhe okulte. Gjithashtu ai  kërkoj reflektim nga mazhoranca dhe Edi Rama, duke lënë për të kuptuar se “Shuplaka” mund të jetë edhe më e madhe se sa ka frikë kryeministri.

Termi “Shuplakë elektorale”, në fjalorin politik shqiptarë është shfaqur për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2013. Në atë kohë PS e Edi Ramës në aleancë me ortakun e sotëm të Berishës, Ilir Metajn, e mundën PD-në e Sali Berishës në mënyrë katastrofike.

Koalicioni i majtë fitoi zyrtarisht 993,904 vota ose 57.6% të votave kombëtare. Por jashtë tij si votë për rotacion politik u llogaritën, edhe 40 mijë vota të marra nga FRD e AKZ, apo disa mijëra vota të tjera nga dy parti të tjera të majta jashtë koalicioneve dhe dy kandidatë të pavarur. Kështu shifra e votave për rotacion tejkaluan edhe formalisht shifrën prej 1 milion votash dhe ky fenomen elektoral i vitit 2013, mund të krahasohet vetëm me votën e rotacionit politik në vitin 1992.

Rama në atë kohë këtë fenomen e pagëzoj, “1 milion shuplaka për Sali Berishën”, por sot vetëm 2 vite përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ai po përjeton makthin e kthimit mbrapsht të kësaj shuplake të egër pas 3 mandateve dhe me një qeverisje, e cila po degradon në mënyrë eksponenciale.

Pra në vitin 2013 Edi Rama e pranoj edhe vetë të vërtetën, se atë nuk e sollën në pushtet votat socialiste dhe ato të LSI, por një valë gjigante popullore e cila si me një marrëveshje “të fshehtë” u energjizua përtej sinorëve partiakë, të së majtës dhe të së djathtës.

Pra sot frika dhe alarmi i tij nuk është opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metajt, as thjesht skandalet korruptive të qeverive të tij të cilat kanë mbushur bodrumet e SPAK, por “Shuplaka” që tejkalon çdo parti dhe ideologji. Deri më tani ai i ka fituar zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021, duke u hequr si “prurje e re” dhe duke shfrytëzuar vlagën anti- Berishë të 1 milion shuplakave të vitit 2013.

Pas “tepsisë’ së vitin 2017, në vitin 2021 ai u nxori shqiptarëve si alternativë përball vetes, Sali Berishën dhe Ilir Metajn. Të njëjtën gjë bëri edhe te lokalet e 14 majit të këtij viti. Dhe i funksionoj, sa për tu mbajtur në këmbë.

Çështja është se në vazhdim ai e di që “Shuplaka” e cila tashmë i është kthyer në makth po vlon dhe është këtu e gatshme që t`ja përplasë kokën në mur, më keq se si ja bëri Sali Berishës në vitin 2013.

Kjo sepse Rama, Berisha, Metaj tashmë në sytë e shumicës së shqiptarëve. (Shuplakës),  janë një prerje: Të korruptuar të cilët e duan votën vetëm për të marrë pushtet dhe me këtë pushtet të bëjnë pasuri për veten, familjarët dhe një rreth të ngushtë politikanësh dhe biznesmenësh oligarkë.

Po përse ky alarm i Ramës dhe i Xhafajt vjen pikërisht tani, kur opozita është e dobët dhe vazhdon që të mbahet peng nga alibitë e Ramës në zgjedhjet e shkuara, pra nga vetë Berisha-Metaj dhe ata që i ndjekin?!

Kjo po ndodh sepse “Shuplaka” e cila deri më tani në pjesën më të madhe të saj ka folur nëpërmjet bojkotimit, më në fund ka një përfaqësues dhe një grupim që po del mbi ujë me shpejtësi.

Daljen në skenë të Lulzim Bashës shumëkush po e sheh thjesht si një zhvillim brenda Partisë Demokratike. Debati bajat dhe pa logjikë i “foltoristëve” dhe “gazbardhistëve”, po përqendrohet te teza idiote; ka a nuk ka të drejtë që Basha që të kthehet në krye të PD-së. Pastaj hedhin postulatin edhe më idiot, se ai në krye të PD-së nuk e mund dot Edi Ramën, pasi nuk e ka bërë dot as në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021.

Po, është e vërtetë se një PD e vetme që do të ketë sërish kryetarë Lulzim Bashën, nuk e mund dot pushtetin e Edi Ramës. Sepse me këtë statukuo ai ndihet komod me faktorët Berishës dhe Metajt në skenë, duke i mjaftuar të qenit “shumicë e pakicës”.

Por Basha nuk po shfaqet i tillë, pra thjesht ambicioz për të qenë kryetar i një partie, qoftë ajo edhe pesha e rëndë historike, PD. “Gjumashi” ka më shumë se një muaj që nuk pushon asnjë ditë dhe nuk po lë cep të Shqipërisë, pa shpërndarë projektin e tij që tejkalon PD-në dhe gjithë klasën politike aktuale në përgjithësi.

Ai po i adresohet jo thjesht demokratëve, por mbi të gjitha “Shuplakës”. Emri tjetër politik i saj është “Aleanca Qytetare Demokrate”.  Po e zgjon dhe po e bën gati të veprojë “Shuplakën”, duke prekur pikërisht telat e motorit të saj të fjetur.

Të çlirohet vota nëpërmjet një sistemi të ri zgjedhorë kushtetues i cili sjell listat e hapura, eliminon kryetarokracinë dhe rikthen demokracinë brenda partive. Një pjesë e madhe e “Shuplakës” janë emigrantët dhe familjarët e tyre. Ata do të votojnë më në fund-thotë ai. Luzim Basha po kërkon vetting në politikë. “Shuplaka” është ajo që e di më së miri se politika e tranzicionit nuk është politikë, por thjesht një biznes me  votat dhe taksat e tyre.

Basha vetë-ofrohet që vettingu i pasurive të politikanëve dhe familjarëve të tyre, të nis nga ai i pari. Meqenëse e ka zënë radhën për tu vettinguar i pari, ka ndonjë nga treshja Berish-Rama-Metaj të kap vendin e dytë?!

Në thelb Basha po shpalos një projekt i cili i jep fund tranzicionit 32 vjeçarë, çliron demokracinë funksionale nga klepto-politika dhe ekonominë e tregut të deformuar nga oligarkia e krijuar nga kjo klasë politike.

Duket se në gjithë këtë, i vetmi që po e lexon mirë Bashën është vetë Edi Rama. Lulzim Basha do të bëhet kryetarë i partisë në 29 korrik, por ai po e shpreh qartë që PD me atë në krye, do të jetë vetëm lokomotiva e trenit që pritet të shtypë egër pushtetin e Edi Ramës në vitin 2025.

Në vitin 2025 është tashmë e sigurt se nuk do të votohet për rotacion, por për përmbysje. “Shuplaka” do të veprojë për të sjellë në pushtet një qeveri e cila do të mbyllë tranzicionin me reformat që po artikulon Basha dhe po ndiqen me shpejtësi nga grupime më të vogla opozitare.

 Xhafaj po i thotë Ramës; “reflekto”, bëj hilen e radhës dhe nxito ta përfaqësosh ti “Shuplakën”. Por kujt ja thotë?!. Një kryeministri i cili pas 10 vitesh “mbret” në pushtet, tani po shfaqet i pafuqishëm edhe përpara atyre që i kanë vendosur drejtorët e hipotekave.

Rama është i ndërgjegjshëm se arsyeja kryesore pse “Shuplaka” po rikthehet edhe më e fuqishme se në vitin 2013, është ai vetë dhe ortakëria okulte që ka me Sali Berishën dhe oligarkët e përbashkët.

Ndërkohë që “rilindësit”, “foltoristët” dhe "gazbardhistët” së bashku dhe në mënyrë të dëshpëruar po bëjnë një luftë hibride ndaj profilit të “Lulit” si individ , ai tashmë e ka tejkaluar Bashën e para vitit 2021. Gjithashtu  Rama është i tërbuar dhe trishtuar njëkohësisht, sepse tani e tutje opozita do të ketë më në fund një interlekutor të fuqishëm me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me SHBA dhe BE. Iku koha e “opozitës nongrata”, duke e bërë Edi Ramën lojtar të vetëm në kancelaritë e huaja.   

Kështu në këtë kontekst, Lulzim Basha, ka shpallur kandidaturën për kryeministër të “Shuplakës” në zgjedhjet e vitit 2025. Këtu po që po e “manipulon” procesin dhe  jo te ai i zgjedhjeve për kryetarët të PD, siç thonë “gazbardhistët&foltoristët”.

Sepse është kandidat pa sfidues. Kush do ta sfidojë: Berisha apo Metaj që flenë e zgjohen me mendjen dhe sytë nga SPAK dhe u bojkotuan deri në poshtërim nga “Shuplaka” në 14 maj?!

Apo Edi Rama?!/ I cili përveç halleve me drejtësinë shqiptare dhe atë amerikane të cilat po i vijnë si tren i shpejtësisë së lartë në tunelin ku ka mbetur, po përjeton sidomos makthin e vërtetë që po i shkakton Lulzim Basha; Kryeministër i ‘Shuplakës 2025”/Alfapress.al

 

Po ndodh...