Pakti kundër demokracisë dhe ndërhyrja e SHBA-ve

10 Shkurt 2023, 12:50 / EDITORIAL NGA RED VARAKU

Pakti kundër demokracisë dhe ndërhyrja e SHBA-ve

Ndryshimet kushtetuese të 2008 ishin hapi i parë drejt asgjësimit të demokracisë shqiptare, sepse i ktheu kryetarët e partive në pronarë të këtyre partive duke i dhënë fuqinë për të bërë pakte për interesa të qarta personale.

Kështu në 2013 u realizua pakti i parë politik që u firmos me gjakun e katër të vrarëve të 21 janarit, i cili prodhoi një rrotacion të negociuar pushteti , kumbar dhe garant i së cilës ishte Ilir Meta.

Me anë të këtij pakti Edi Rama do të bëhej kryeministër përmes bashkimit me Ilir Metën, ndërsa Sali Berisha mori garancinë që nuk do të goditej nga drejtësia, përndryshe Rama do të rrëzohej menjëherë nga Metaj.

Ky pakt duket se nuk u ndal, por vazhdoi dhe vazhdon ende edhe sot.

Nga 2013 deri në 2017 Ilir Meta u bë vrasësi me pagesë për opozitën, sidomos në angazhimin e tij në votimin e tetë ligjeve të Reformës në Drejtësi që i dhuruan Ramës njëfarë kapje të kësaj Reforme dhe në angazhimin e tij për Reformën e njëanshme territoriale që ishte një thikë pas shpine për demokracinë.

Ilir Meta bashkë me Sali Berishën dhe Edi Ramën gjithashtu u angazhuan dhe në realizimin e pjesës së dytë të këtij pakti, që duket se po qartësohet pas 25 prillit , që ishte eliminimi politik i Lulzim Bashës si kërcënimi më i madh i tyre dhe më pas marrja prej Ilir Metës e primatit të opozitës.

Me asgjësimin e Lulzim Bashës, investimit më të rëndësishëm Amerikan prej 2005, dhe me Ilir Metën trashëgimtar të pushtetit, do të garantohej pandëshkueshmëria për Berishën dhe Ramën.

Fatmirësisht, ky skenar u zbulua nga SHBA-të dhe prej 2014, (vit kur u hodh ideja për Reformën në Drejtësi) ata janë angazhuar në asgjësimin e tij, sigurisht edhe përmes instrumenteve politike ku bëjnë pjesë Urdhëri Egzekutiv i Presidentit Biden kundër korrupsionit dhe shpalljet nongrata ,por kryesisht ata janë angazhuar përmes instrumentit më të rëndësishëm që është Reforma në Drejtësi.

Tani i kemi të tre liderët kryesorë të tranzicionit të shënjestruar dhe goditur fort nga SHBA-të dhe i vetmi mjet për t’i eliminuar mbetet drejtësia.

Është e qartë që sistemi është i kapur dhe nuk ka asnjë mundësi që të zhbllokohet me zgjidhje politike. I vetmi instrument që mbetet për ta zhbllokuar atë dhe për të sjellë një elitë të re politike është Reforma në Drejtësi. I vetmi instrument që do të prodhojë realisht politikë deri në zgjedhjet e ardhshme do të jetë SPAK.

Kështu hanxharët e SPAK do të asgjësojnë metastazat që e mbajnë në këmbë këtë establishment terrorist ku bëjnë pjesë politikanë të korruptuar, oligarkë, pronarë mediash, gazetarë apo grupe të forta kriminale deri më pastrimin e plotë të klasës politike.

Të tjerat, pavarësisht akrobacirave dhe spërdredhjeve, janë thjesht përpëlitjet e fundit të një establishmenti të kalbur dhe të korruptuar deri në palcë që po shkon me shpejtësi drejt asgjësimit.