
Mbi debatin për serialin e video-replikava Basha-Rama dhe për “opozitarët” e mediat e mërzitura!

U bënë disa ditë që një serial video-replikash mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës është shndëruar në rrjet dhe në media, në kryefjalë të fushatës elektorale. Rama si një batutaxhi i bajatosur që as në këtë fushë nuk shpik dot më ndonjë gjë të re, në një nga ato diaretë e përditshme në rrjet pyeti, “ku është Luli dhe a është zgjuar nga gjumi”.
Pastaj vazhdoi me atë batutën tjetër të vjetër dhe teje bajate, 7x7 baras 49. Sa për kujtesë këtë lapsus matematikor, Basha, e ka bërë në parlament para 5 vitesh kur denonconte për herë të parë aferën e Inceneratorit të Tiranës, qindra milionat e planifikuara për tu grabitur, atëherë kur grupin e organizuar Rama, Agaçi, Veliaj, Ahmetaj etj, e përmendi emër për emër dhe i paralajmëroi, se ku do përfundonin siç edhe po ndodh. Jo te 49-ta, por te 313-ta!
Gjithsesi as Ramës as “opozitarëve” të tij, (Të cilët më shumë urrejnë Bashën se “ramoviçin”), nuk ju ndahet shpirti nga “gjumi i Lulit” dhe “7x7”, (Laj e thaj, këto hedhin në treg prej shumë vitesh), ndaj dhe kryeministri i ricikloi para 3 ditësh. Duke qenë se ja kanë mbushur mendjen se është një yll i komedisë “Stand Ap”, duket se kur vendosi të tallet dhe të bullizoj, harroi se vetë është katandisur lakuriq në skenën e madhe.
Video-replika i erdhi shumë shpejt, por jo me të njëjtën gjuhë boshe e cila nuk argëton më as adoleshentët e Tik-Tok. Basha i drejtoi gishtin liderit lakuriq: Ku i ke shokët, Lali Erin, Sajen, Ahmetajn, Beqajn, Terrin, Çyrben...Po gjumë a fle, apo po mendon radhën drejt shokëve në burg, 7x7 në fakt bëjnë Burgu 313...
Pavarësisht nga ironia dhe paraqitja gazmore dhe e çliruar e Bashës, goditja duket se ishte në zemër dhe fatale. Ai i hodhi prozhektorin liderit lakuriq, të fshehur në gjysmë errësirën e skenës që e ka blerë të gjithën. Dhe kështu filloi seriali viral. Rama me batuta boshe, Basha duke i treguar destinacionin e shpejtë, te shokët në qeli. Rama u kundërpërgjigj, por me një video ku vetë vazhdonte avazin, kurse Bashës i kishte hequr pyetjet retorike për shokët e ngushtë të qeverisjes 12 vjeçare dhe natyrisht, edhe pjesën që faktikisht ka kohë që po e lë pa pikë gjumi: 7x7 në fakt bëjnë 313, sa numri i burgut ngjitur me SPAK dhe GJKKO. Edhe Basha nuk ju nda, duke ja thelluar makthin, deri sa Rama doli prapë më serioz dhe tha se, “po më surprizon”.
Videot të hedhura gati paralel në të njëjtat ditë, bënë namin në rrjet. Veçse me një ndryshim “të vogël”. Rama “mbret” i FB nuk kaloi dot 60 mijë shikime, Basha vetëm në një rast, kapërceu 1 milion.
Ky është momenti që hidhen përpjetë mediet, emisionet, “gazetarët e pavarur” dhe patjetër dhe “opozita e vërtetë” ndaj Ramës, e cila listën e Bashës me shokët e kryeministrit në burg apo të kërkuar si Ahmetaj e seleksionon si kumbullat e Nastradinit: As kjo nuk është përmjerr, as kjo...Dhe çfarë po ndodh?!
Ramistë, berishistë, “antiberishistë”, ish-bashistë, “fevzistë” “kollballist”, ”të pavarur”, majtas, djathtas, të kuq, blu, pa ngjyrë, etj, janë lëshuar të shpjegojnë “fenomenin” që po ju nxjerr nga skenari fushatën. Si kështu, pse po ngjit kaq fortë ky Basha?!
Dhe nis e tirret konspiracioni nga të gjithë bashkë: Nuk po tregon Ramën lakuriq, por po dëmton Berishën e virgjër. Më e bukura është kur thonë, se këtë e ka ideuar Rama për të dëmtuar votat madhështore të madhështorëve. Blendi Fevziu bëri edhe një video-enditorial, (Se për Editorial nuk ka kohë), me të cilin sqaroi popullin: Mos u gënjeni se është shumë e thjeshtë, Rama si lojtar i madh po faktorizon Bashën që t`ja fus rivalit madhështor! Po Rama sikur nuk e ka frikë “Bufin” dhe madje thotë, se do marrë mbi 100 mandate këtë herë?! Pse i duhet “Lul përçarësi” i cili deri para një jave për të gjithë këta as nuk ekzistonte, apo ashtu është një muhabet?!
Basha i përmend Ramës burgun që e pret dhe se po i qepet këmisha vija-vija si e shokëve në qeli, (Thonë se e ka provuar shumë pak kohë dhe i ka rezultuar se nuk e mban dot fare, më keq se një nga shokët që i përmend Basha, Lali), këta specialistët e politikës dhe të medies, ta japin me siguri se është lojë e të dyve. Pikë e zezë për logjikën vijë e drejtë, por nuk është kjo arsyeja në fakt.
Duket se Basha dhe “Euroatlantikët” e kanë shqetësuar dyshen Rama&Berisha, të cilët nga tango kanë kaluar në kërcim “bark më bark”. Kryemadhështori për gati 30 minuta në Shkodër, u morr me Bashën dhe emrat në listën e Euroatlantikëve. Rama ndërkohë me zë më të mekur dhe frikën se del Basha prapë dhe i tregon destinacionin “Përpara drejt 313-ës”, po përpiqet të rikuperojë ndonjë gjë.
Tani kam një pyetje për të gjithë, ramistët, berishistët, “antiberishistët”, ish-bashistët e zhgënjyer, “fevzistët” “kollballistët”, ”të pavarurit”, majtas, djathtas, të kuq, blu, pa ngjyrë, etj, se janë shumë: Basha dhe forca politike që udhëheq ai, sikur është shkatërruar me kohë?!
Sikur nuk ekzistojnë më, nuk kanë as struktura as njerëz që i mbështesin?!
Grupin Parlamentarë ua morët, vulën po, nga mediet i keni zhdukur, thoshit se nuk gjejnë dot kandidatë për 11 majin, nuk fusin asnjë deputet në parlament, nuk i voton kush...Tani papritur po na del Basha faktor, por “i dyshimtë dhe konspirativë” ama. Natyrisht del kështu, sepse i thotë Ramës ato që Berisha ja thotë me seleksionim, kurse Berishës i thotë ato që Rama ka kohë që nuk ja thotë, sepse po e godet “fortë” me etiketimin “Buf”.
Që të jemi të qartë si përfundim: Nuk bëhet fjalë se Basha, do ti mund të dy në zgjedhjet e 11 majit, (Ndeshja është e shitur në tavolinë me Kodin Zgjedhorë por veçanërisht sepse janë ortakë në ekonomi, biznes), edhe pse dyshja që kërcen “bark më bark” e di që deri në shtator e kanë limitin.
Lajmi është se Rama mbi të gjitha, por edhe Berisha, kanë në këtë fushatë një paqyrë, një politikë kontrasti. Mjafton tu nxjerrsh të dyve të kaluarën dhe të tashmen në krye të vendit më të vjedhur në Europë, shto edhe pasqyrën e SPAK dhe do të shihni vetëm një siluetë të kërrusur nga faturat që kanë për të paguar, të cilët kanë vetëm një destinacin “madheshtorë” dhe “Përpara” drejt qelive, ku gjenden ata që numëron Basha në video-replikat e tij virale!
Basha “i shkretë” kaq po bën. U ka vendosur përpara një pasqyrë jo të manipuluar nga mediet e tyre, që shqiptarët ti shohin siç janë. Vetë nuk ka shokë në burg, as kontigjentë të SPAK te Euroatlantikët. Por ka faj se kontrasti të verbon, aq më shumë kur bëhet viral. Ndaj ta ndalim sa më shpejt, se erdhi 11 maji!./Alfapress.al

ide

Sikur të kishim nja shtatë a tetë si Kreshnik Spahiu!


Erion Veliaj, kryeredaktori nga qelia
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128