Rama dhe Berisha rikthejnë në politikë Tom Doshin

8 Shkurt 2025, 18:14 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Rama dhe Berisha rikthejnë në politikë Tom Doshin

Në vitin 2018, gjatë administratës së parë të Presidentit Trump, Tom Doshi u shpall non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në argumentimin e sanksionimit, zyrtarët e DASH-it specifikuan se Doshi ishte përfshirë në korrupsion të thellë (significant corruption) dhe krijimin e lehtësimeve për krimin e organizuar, që dëmton qeverisjen e Shqipërisë, por në të njëjtën kohë cënon dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo ishte një goditje e rëndë për kryeministrin Edi Rama, që kishte, dhe e ka ende, Doshin një aleat të rëndësishëm politik për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Nga ana tjetër, sanksionimi i Doshit, si dhe i Vangjush Dakos, ishte një kartë e fuqishme për opozitën, në përballjen me mazhorancën socialiste, pasi faktonte akuzat e PD-së në raport me lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin zgjedhor dhe ekonomik.

Shtatë vite më vonë, pak muaj para zgjedhjeve të 11 majit, dhe katër vite pasi hoqi dorë nga mandati i fituar në Shkodër në vitin 2021 pas presioneve të Shteteve të Bashkuara, Tom Doshi ka shpallur ambicien për të qenë sërisht në parlament.

Për shumëkënd kjo mund të duket si një rrufe në qiell të hapur, por ky rrugëtim i kreut të PSD-së, nga margjinat e politikës dhe bashkëpunimit të kamufluar me PS-në, tek kthimin në mejdanin politik, është fryt i një beteje të madhe transversale, përtej të majtës e të djathtës, për të arritur rehabilitimin e të sanksionuarve, nga një aleancë e non gratave, të shpallur e të pashpallur nga DASH.

Kur Sali Berisha u shpall “non grata” maj të vitit 2021, shumica parashikuan fundin e pashmangshëm të tij. Mirëpo, i ndihmuar nga Edi Rama, që pa te ky sanksion fatin që e pret vetë atë, nga Ilir Meta dhe segmente të tjerë të oligarkisë dhe botës së krimit, për këtë të fundit denoncues është nënkryetari aktual i Berishës, Gazment Bardhi, duket se të gjithë bashkë luftuan për të relativizuar në perceptimin publik instrumentin e "non gratës".

Një nga shembujt më të qartë të aleancës së pashpallur mes Ramës dhe Berishës ishte gara për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2022. Shkodra, dikur bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike, ra në duart e kandidatit të Berishës falë mbështetjes të Edi Ramës dhe Tom Doshit. Një vit më pas, kur revolucioni i foltores u shfry, në garën mes Bardh Spahisë dhe Benet Beci, pra vetëm dy kandidatë jo më tre si në 6 mars, PS fitoi Shkodrën, po ashtu dhe bastione të tjera të së djathtës, si dëshmi e fallcitetit të revolucionit të foltoreve dhe premtimeve të bujshme për fitore dhe rrëzim të Ramës në vetëm pak muaj.

Pra, zgjedhjet e 6 marsit çelën siparin e një aksioni për të dëmtuar Partinë Demokratike përmes hallit personal të Berishës dhe politikës normalizuese të sanksioneve amerikane. Edi Rama ishte i pari që e bëri këtë. Ai përdori mandatet e Doshit në parlament, duke u justifikuar me sanksionimin e Berishës, e më vonë përdori Berishën për të goditur PD-në që po luftonte për ta ndarë fatin e saj politik, nga fati i njërit prej themeluesve të saj.

Ndryshe nga deklaratat publike të Edi Ramës, ku trumbetonte se nuk bashkëpunonte me non gratën, ai ishte promotori i parë i aksionit të Berishës edhe në institucionet shqiptare. Të gjithë mbajmë mend mesazhet mes Flamur Nokës dhe Lindita Nikollës, atëhere drejtuese e Kuvendit, për t’i dhënë fjalën në seancë Berishës. Fjalime që përdoreshin për të sjellë në Parlament përplasjen mes Bashës dhe Berishës, e për të mbajtur gjallë përçarjen e PD-së sipas oreksit të PS-së.

Po ashtu emblematik u bë mbajtja e Gazment Bardhit në krye të grupit të PD-së nga socialistët e Edi Ramës, kur vula dhe simbolet nuk ishin në kampin e Berishës dhe PD zyrtare kishte dorëzuar në Kuvend ndryshimet përkatëse.

Bashkëpunimi vijoi më andej me amnistimin e të korruptuarve dhe me mbylljen e listave, si dhe në një mori syshkeljesh që e kanë bërë të qartë për këdo që ka sy në ballë, se Rama i zgjati dorën Berishës, sepse zgjidhja pa konflikt të brendshëm në PD të sanksionimit të ish-kreut të saj, përfaqësonte fillimin e fundit politik të Edi Ramës.

E gjithë kjo histori është një dëshmi e qartë se si Berisha e sakrifikoi opozitën shqiptare për të shpëtuar veten. Dikur ai deklaronte se të qenit “non grata” ishte një dënim i rëndë politik dhe moral, sidomos kur e përdorte si armë kundër Gramoz Ruçit dhe socialistëve, dhe për këtë ka qëndim publik të Berishës në shtator të 2017-ës. Por kur vetë u përball me të njëjtin fat, ai e relativizoi këtë ndëshkim deri në atë pikë sa të bashkëpunonte hapur me elementët që dikur i denonconte.

Në këtë skemë, Rama mbeti përfituesi më i madh. Ai e dinte se një opozitë e shkatërruar nga vetë lideri i saj historik do ta ndihmonte atë në menaxhimin e krizave që prodhon korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit të tij me krimin. Me njerëz si Tom Doshi dhe Vangjush Dako në krah, Rama ka një hambar me struktura paralele për të grumbulluar vota përmes skemave klienteliste, që ishin edhe arsyet pse individë të tillë u sanksionuan nga SHBA.

Falë Edi Ramës dhe Sali Berishës, Tom Doshi rikthehet pra në politikë, ndërsa ata që i shkojnë pas Doktorit, kanë shkatërruar betejën parimore dhe morale të PD-së kundër të sanksionuarve, duke lejuar që ata politikanë që SHBA i nxorri nga dera e politikës me kokën ulur, të futeshin përsëri nga dritarja me kokën lartë, si një karshillëk ndaj të gjithë atyre që duan një politikë të pastër dhe normale në Shqipëri.

Këta të fundit, që sipas çdo sondazhi rezultojnë të jenë shumica, më 11 maj kanë një tjetër arsye për të mbajtur qëndrim me votë për të ardhmen e Shqipërisë.
Nga njëra anë kemi “aleancën e non gratave”, që gjallon politikisht falë mbështetjes së Ramës, si i interesuari kryesor i mbajtjes së tyre në politikë. Nga ana tjetër kemi opozitën e vërtetë, parimore, anti-korrupsion, euro-atlantike, që kërkon çeljen e një kapitulli të ri për vendin, duke lënë pas lojërat ballkanike haxhiqamiliste, me të cilat kërkojnë ta mbajnë vendin si çiflig të një grushti të vogël njerëzish.

Në këto katër vite betejë me “aleancën e non gratave”, që ka nisur vite më parë, por mori formën e përballjes më të ashpër politike pas vendimit të Bashës më 9 shtator 2021 për pezullimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD, shqiptarët kanë parë dallimin mes lidershipit të vërtetë dhe atij të rremë.
Për hallet e tyre, Rama dhe Berisha, boshatisën ferrin dhe risollën në sipërfaqe djajtë për të mbrojtur interesat e tyre, duke dëshmuar një udhëheqësi të rreme, që nuk i shërben aspak qytetarëve por e kthen vendin pas. Përballë tyre Basha, dhe të gjithë që ata qëndruan me vendosmëri për një sërë vlerash e parimesh, duke hequr dorë nga interesat personale për t’i shërbyer interesit publik, treguan se cili është lidershipi i vërtetë, pavarsisht kostove, pavarësisht sakrificave dhe përballjes me një ambient politik dhe mediatik toksik, të financuar nga interesa korruptive.

Më 11 maj këto dy botë të ndryshme do të përplasen në zgjedhje, fitorja e njërës apo tjetrës është në dorë të qytetarëve, të vetëdijshëm tashmë se kur votojnë për Berishën, Doshin, Dakon, votojnë për të mbajtur Ramën. Kur votojnë për Ramën, mbajnë Berishën, Doshin Dakon./Alfapress.al

 

Po ndodh...